Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacolli: Qytetarët kanë nevojë për vaksina më shumë sesa politikanët

Deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vaksinimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19.

Sipas Pacollit, më shumë nevojë për këtë vaksinë kanë qytetarët se politikanët.

“Vaksina “Astra Zeneca” e cila erdhi si donacion nga aleanca Covax, është e sigurt dhe e suksesshme në miliona njerëz në mbarë botën. Qytetarët dhe ata që përballen çdo ditë me Covid kanë nevojë për këtë donacion, më shumë sesa njerëzit e politikës, të cilët kanë më shumë mundësi ta mbrojnë veten, e jo duke shfrytëzuar donacionin”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Sot, njëri nga personat e pare që mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca ishte kryeministri, Albin Kurti dhe pas tij ishte, drejtoresha e OBSh-së në Kosovë, Isme Humolli.

Dje, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër coronavirusit.

Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Fushata e vaksinimit do të nisë javën e ardhshme dhe fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.

Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqës të programit ndërkombëtar COVAX, kanë për qëllim të shpërndajnë vaksina në vende të varfra.

Nga COVAX-i në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Albin Kurti inkurajon qytetarët që të vaksinohen