Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacolli përgëzon LV-në, dhe kërkon konstituim të shpejtë të Kuvendit

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka përgëzuar Lëvizjen Vetëvendosje pas rezultateve të deritanishme zgjedhore sipas të cilave LV del të jetë fituese e zgjedhjeve.

“Kur numërimi i votave po shkon drejt fundit, ne mund të konstatojmë se fituesi i zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje. Në një demokraci, është e rëndësishme të pranosh rezultatin dhe të përgëzosh kundërshtarin”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Ai ka kërkuar që pas certifikimit të rezultateve, është e rëndësishme konstituimi i Kuvendit të ri dhe zgjedhja sa më parë e Qeverisë së re.

Deri më tani sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje figuron me 48.17 për qind, Partia Demokratike me 17.35 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.18 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind, Nisma Socialdemokrate 2.59 për qind.

Në këto numërime nuk janë llogaritur votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe as ato të mërgatës.