Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Pata frikë nga ndonjë sulm terrorist, për atë aterrova në Tiranë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AKR, Behgjet Pacolli, ka arritur në Kosovë pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe institucioneve të Kosovës.

Pacolli me të arritur në Kosovë ka dhënë një deklaratë për media, ku ka deklaruar se do t’u nënshtrohet të gjitha rregullave sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai tutje ka thënë se nuk do të kërkojë trajtim të veçantë ndonëse tha se ka qëndruar dy muaj në vetizolim në Zvicër dhe tashmë ka rezultuar negativ në testin për COVID-19 në ditën kur kishte planifikuar të vinte në Kosovë.

Lidhur me lejen ose moslejimin për të aterruar në Aeroportin e Prishtinës, Pacolli tha se është frikësuar për ndonjë sulm terrorist dhe se kjo ka qenë arsyeja e ndaljes së tij në Tiranë.

“Pikërisht frika nga ndonjë sulm terrorist unë kam aterruar në Tiranë”, tha ai.

“Unë nuk e kam thirrë askënd në Kosovë të bëjë ndonjë dallim për mua. Unë nuk e di cfarë do të ndodhë për mua tash e tutje. Nuk do të rezistoj dhe do nëse ka një rregull dhe një normë që është për të gjithë qytetarët e Kosovës do ta respektoj edhe unë. Nuk do të kërkoj as të trajtohem ndryshe e as mangësi. Jam qytetar i rëndomtë dhe do të trajtohem njëjtë si të gjithë qytetarët e Kosovës. Kam lexuar lajme dhe nuk më kanë pëlqyer deklaratat e zëvendësministrit që ka deklaruar se nëse Pacolli gjendet brenda Kosovës do të arrestohet. Nuk ka pasur asnjë televizion ballkanik që nuk e ka pasur në Headline këtë informatë”, tha Pacolli.

Po ashtu Pacolli ka deklaruar se nuk do të lejojë askënd të ia cenojë të drejtën e jetesës në Kosovë.

“Unë kam zgjedhur të jetoj në Kosovë dhe do të jetoj këtu edhe në pjesën tjetër të jetës dhe nuk do ta lejoj askënd të ma cenoj këtë të drejtë”, tha ai.