Pacolli mbështet Kurtin për koordinimin me politikën e jashtme

Ish- Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka komentuar deklaratat e Kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me koordinimin e politikës së jashtme.

Për këtë çështje Kurti foli gjatë ditës së sotme kur u pyet në lidhje me ri-kandidimin e Presidentit Thaci për të njëjtin post vitin e ardhshëm.

“Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”, tha Kurti.

Për këto deklarata, Pacolli ka thënë se Kurti ka të drejtë. Sipas Pacollit, nuk duhet të mos ketë mos-koordnim por harmonizim të të githa vprimeve mes akterëve.

“Deklarata e Kryeministrit të Kosovës, për koordinim të politikës së jashtme me akterët kryesorë institucional është shumë e drejtë dhe e nevojshme. Në vitet e kaluara jam përballur drejtëpërsëdrejti me fenomenin e mungesës së harmonizimit të veprimeve dhe deklaratave që e kanë dëmtuar dhe vështirësuar politikën e jashtme të Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme në një emision, Thaçi kishte thënë se nëse do të ketë ndryshime kushtetuese që Presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit ai do të ri-kandidoj prapë dhe do të zgjidhet, duke u treguar i bindur për këtë gjë.

Ai madje tha se nëse partitë duan ta ndryshojnë kushtetutën, ai do të ri-zgjidhej prapë president.

Kujtojmë se në takimet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje para se të bëhej koalicioni, rëndësi të veçantë kishte edhe posti i presidentit, gjë që kishte shkaktuar edhe vonesë në bërjen e koalicionit.

“Presidenti 2021”, pika e nxehtë e negociatave LVV – LDK