Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli lavdëron gjestin e Haradinajt

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar pas vendimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj për dorëheqje.

Sot gjatë ditës, Haradinaj lajmëroi dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit. Ai u dorëhoq pasi tha se ka marrë ftesë për intervistim si i i dyshuar nga Prokuroria e Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë.

Pacolli tha se beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Sot veprimi i KM Haradinaj është një gjest burrështetasi dhe besojmë në pastertinë e luftës së UÇK-së. Kam pasur nderin të bashkëpunoj me KM Haradinaj dhe shprehi simpatine dhe solidaritetin tim për të si Kryeminister dhe qytetar i rendomtë”, tha Pacolli.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/kryeministri-i-kosoves-jep-doreheqje/