Foto: Facebook/ Behgjet Pacolli

Pacolli: Lajmi se Çekia do ta tërheqë njohjen e Kosovës, s’ka asnjë lidhje me realitetin

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se lajmi se kinse Republika e Çekisë do ta shqyrtojë tërheqjen e njohjes së Kosovës nu ka të bëjë asgjë me realitetin.

Pacolli tha se Republika çeke përmes ministrit të Jashtëm, Tomash Petriçek, e ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe integrimin e saj në BE, NATO dhe organizata ndërkombëtare.

“Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Kryediplomati i Kosovës e ka publikuar edhe një postim të homologut të tij çek, i cili ka thënë se vendi i tij nuk e ka ndryshuar qëndrimin rreth Kosovës.

Gjatë një vizite në Beograd, presidenti çek, Millosh Zeman, ka paralajmëruar mundësinë që pas një muaji të shqyrtohet tërheqja e njohjes së Kosovës nga shteti i tij.

Presidenti çek në Beograd: Pas një muaji do ta rishikojmë tërheqjen e njohjes së Kosovës

www.kallxo.com