Pacolli kundër akuzave ndaj Trump

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, është shprehur kundër akuzave të ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, të cilët janë mbledhur sot për të votuar dy akuza për shkarkim të presidentit Trump.

Pacolli këtë veprim e ka quajtur mjet politik. Ai ka shprehur përkrahje për presidentin Trump, për të cilin ka thënë se është shumë i rëndësishëm për marrëveshjen që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Akuza kundër presidentit Trump personalisht nuk mendoj se kjo është ajo që i duhet SHBA-së dhe botës. Impeachment (akuza që mund të çojnë në shkarkim) është në thelb një mjet politik. Kosova ka besim të madh te presidenti Trump, i cili gjithashtu do të jetë thelbësor për marrëveshjen historike të paqes me Serbinë. Mezi presim një përfundim pozitiv”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Akuzat ndaj Trump janë abuzim me pushtetin dhe pengim i punës së Kongresit. Këto akuza kanë të bëjnë me marrëveshjet e presidentit Donald Trump me Ukrainën.