Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli i reagon Daçiqit për deklaratën ndaj serbëve që po tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli i ka reaguar ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, lidhur me deklaratën e këtij të fundit për serbët që po tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në Serbi.

Pacolli i ka quajtur skandalozee dhe të papranueshme kërcënimet e Daçiqit.

“Janë skandaloze dhe krejtësisht të papranueshme, kërcënimet nga Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, kundër serbëve të cilët zbulojnë vendet e varreve masive ku shqiptarët u varrosën nga ushtria serbe, pasi trupat e tyre u transportuan në Serbi nën orkestrimin e qeverisë në Beograd dhe SPS të udhëhequr nga Millosheviqi, kryetar i së cilës është sot Daçiçi”, ka shkruar Pacolli në  Facebook.

Ai ka shtuar se Daçiq dhe Serbia duhet të përballen me përgjegjësi dhe drejtësinë për “krimet më të tmerrshme të kryera kundër shqiptarëve, më të rendat që prej Luftës së Dytë Botërorë në Evropë”.

“Më shumë se 13 mijë të vrarë, më shumë se 20 mijë gra dhe vajza të dhunuara, më shumë se 1 milion të dëbuar nga shtëpitë e tyre, pronat e tyre u shkatërrua dhe të plaçkitura dhe shumë fëmijë mbetën jetim nga kriminelët serb”, ka shkruar ai.

Deputeti i AKR-së, ka shtuar se është momenti i fundit për drejtësi për viktimat në Kosovë dhe “për t’u dhënë fund atyre që kanë gjak në duar dhe ecin të lirë sot në Serbi”.

“Mbështetja e Daçiqit dhe njerzve si Drecun për politikën gjenocidale të Beogradit duhet të jetë një rikujtim për atë çka përfaqëson diplomacia serbe sot. Shumë në botë e njohin fytyrën e tij të vërtetë, por është koha të kemi veprime nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe mbështetësve të gjenocidit që janë ulur në qeverinë serbe sot”, thuhet në publikimin e tij.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një intervistë ka folur për shumë tema, por edhe për marrëdhëniet dhe bisedimet Kosovë – Serbi.

Daçiq që nga koha kur mban detyrën e Ministrit, ka pasur një fushatë aktive dhe intensive duke lobuar tek shumë shtete të botës për të mos njohur pavarësinë  Kosovës.

Në një moment gjatë intervistës Daçiq ka thënë: “Të mos merremi me amerikanët, gjermanët dhe turqit, më thoni ju mua (duke i’u drejtuar udhëheqësit të emisionit) se çfarë duhet të bëjmë me serbët, të cilët i tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin budallallëqe të ndryshme dhe u tregojnë atyre se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”.

Udhëheqësi i emisionit i ka thënë Daçiqit se “të gjitha historitë e zeza për Serbinë, kanë dalë nga Beogradi”