Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli i quan të manipuluara rezultatet e zgjedhjeve

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e 6 tetorit i ka quajtur të manipuluara dhe që sipas tij nuk e pasqyrojnë vullnetin e popullit të Kosovës.

Sipas Pacollit, përfshirja e votave nga Serbia është skandal dhe gabim historik.

Ish-ministri ka paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për të parandaluar këtë siç e quan ai ‘gabim të rëndë për demokracinë dhe sundimin e ligjit’.

“Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e Zgjedhjeve Parlamentare të 6 Tetorit. Rezultatet paraqesin një rezultat të manipuluar që nuk e pasqyron vullnetin e popullit të Kosovës. Përfshirja në numërimin e votave nga Serbia që janë dorëzuar në kundërshtim me ligjin dhe të cilat janë plotësuar kryesisht nga një person që përfaqëson Vuçiçin dhe Daçiçin në Kosovë është një skandal dhe një gabim historik. Ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të parandaluar këtë gabim të rëndë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar kandidati për deputet nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, në rrjetin social ‘Facebook’.

KALLXO.com raportoi se Pacolli nuk ka arritur të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet e 6 tetorit. Koalicioni parazgjedhor Nisma-AKR-PD, në të cilin ka garuar Pacolli nuk e ka kaluar pragun për tu bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, nga zgjedhjet nacionale 2019.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Pacolli me 6 tetor ka marr vetëm 10 mijë e 525 vota, apo ka dal njeri i dytë i votuar në këtë koalicion. Pacolli në zgjedhjet e vitit 2017 kishte marrë 35 mijë e 766 vota.

Zyrtare: Koalicioni i Nismës nuk e kalon pragun