Pacolli i përgjigjet Vuçiqit për Manastirin e Deçanit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sot tha se Manastiri i Deçanit nuk i përket trashëgimisë shqiptare.

Pacolli në Facebook ka shkruar se Kosova ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme për objektet fetare, diçka që Kisha Ortodokse Serbe as nuk e ka në Serbi.

“Unë dua ta bëj të qartë Beogradit qe të ndal nxitjen e tensioneve në Kosovë, dhe vendet e tjera të rajonit. Këto deklarata sot tregojnë një shenjë të qartë qe Beogradi dëshiron të nxisë tensione në Kosovë para Krishtlindjes Ortodokse për të manipuluar serbët e Kosovës. Ligji për liritë fetare në Kosovë ka marrë miratimin e Komisionit të Venecias dhe është në përputhje me standardet evropiane, ai tani do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës”, thënë Pacolli.

Ai u ka bërë thirrje zyrtarëve të Serbisë që t’i ndalin këto lloje të deklaratave dhe qytetarët të festojnë të qetë.

“Lërini njerëzit të kenë festa normale dhe të qeta. Asnjë politikë në fe nuk është e nevojshme e aspak nga Beogradi që njifet për tendenca për manipulime me qytetaret serbë të Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq sot ka thënë se Manastiri i Deçanit nuk është trashëgimi kulturore shqiptare, por serbe.

“Unë nuk dua të jem një zog ogurzi. Shpresoj se ata nuk do të arrijnë të na bindin se Manastiri i Deçanit dhe trashëgimia tjetër i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare. Në fakt, ata do të thonë se i përket trashëgimisë së Kosovës dhe se për këtë ata kanë mbështetje “, ka thënë sot Vuçiq në një konferencë për media, raporton b92.

Vuçiq: Manastiri i Deçanit s’i përket trashëgimisë shqiptare

www.kallxo.com