Gjergj Dedaj

Behgjet Pacolli: Konflikti me Gjergj Dedajn ishte për parking

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli në Kallxo Pernime ka rrëfyer për incidentin që e kishte pasur me zëvendësin e tij, Gjergj Dedaj, tani ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Pacolli tha se vetura e Gjergj Dedajt ishte parkuar në hyrje të ndërtesës së Ministrisë, andaj ai kishte urdhëruar që vetura të largohet.

“Nëse ai ka ardhur si njeri, gjithmonë e ka pasur derën e hapur, por unë njerëzit arrogant unë nuk i dua. Ka qenë një incident mes meje dhe Gjergjit. Ai e kishte parkuar veturën në hyrje të ministrisë. Kështu që për të hyrë në ministri është dashtë që të bëhen disa tejkalime. unë se kam ditë e kujt ka qenë makina dhe kam urdhëruar që ajo makinë të hiqet. Ai paska bërë rezistencë me heq veturën. Ai më kish pas sha aty diçka”, ka rrëfyer Pacolli në Kallxo Pernime.

Pacolli tha se nuk e ka ditur që vetura ka qenë e zëvendësit të tij, por edhe po ta dinte, do ta ftonte policinë.

“Nëse ai ka menduar që në mënyrë arrogante. Ia kom thirrë policinë, se nuk e kam ditë që është e tij. Por edhe me pasë, ditë e kisha thirrë. Kerrin e ka pasë kogja të mirë, një pezho e ka pasë”, tha në mes tjerash ish ministri Pacolli.