Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Është koha që Dick Marty të tregojë si e krijoi raportin e tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve se ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, po kërcënohet me vdekje nga inteligjenca serbe.

Pacolli ka thënë se nëse kjo është e vërtetë, sipas tij, është koha e duhur që ai të tregojë si e krijoi raportin e tij, ku akuzonte lidershipin e UÇK-së për përfshirje në “trafik organesh, rrëmbime dhe keqtrajtim të të burgosurve” gjatë luftës.

“Nëse është e vërtetë se Dik Marti po kërcënohet nga inteligjenca serbe, është koha e duhur që ai të tregoi se si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaçi sot është në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Mbi bazën e raportit të Dick Marty u themelua Gjykata Speciale, që tash liderët e UÇK-së po qëndrojnë në Hagë.