Foto: Behgjet Pacolli/ Facebook

Pacolli dhe ambasadori gjerman u kthehen polemikave, kësaj radhe për vizat

Deputeti Behgjet Pacolli dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, u janë rikthyer polemikave.

Për dallim nga hera e kaluar, kur kishin debatuar në distancë rreth të drejtës për të udhëtuar jashtë Kosovës ose ardhjes në Kosovë, Pacolli e Heldt kësaj here janë përplasur për çështjen e liberalizimit të vizave.

Fillimisht Pacolli në rrjetin social ‘Twitter’ ka shkruar duke ‘uruar’ Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare, sipas tij, për gjetjen e guximit për të ecur përpara me lehtësimin e vizave për Bjellorusinë dhe vazhdimin e mbajtjes së Kosovës të izolur dhe ka pyetur se çka kanë për të thënë tash shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova dhe ambasadori gjerman Christian Heldt.

Ndërsa ambasadori gjerman i ka replikuar, duke thënë se lehtësimi i çështjes së vizave nuk do të thotë liberalizim i tyre.

Kurse deputeti Pacolli ia ka kthyer duke shkruar se nuk ka asnjë lehtësim të vizave për Kosovën.

“Studentët, biznesmenët dhe artistët nuk trajtohen më lehtë nga ambasadat e BE-së dhe refuzimi është i lartë për shkak të kushteve të vendosura”, ka shkruar Pacolli.

Behgjet Pacolli dhe ambasadori Heldt ishin ‘përfshirë’ në polemika gjatë muajit të kaluar, ku fillimisht Pacolli pati probleme me kthimin e tij nga Zvicra për në Kosovë, e më pas ai kishte shkruar se misionet diplomatike ishin kthyer në Kosovë dhe nuk ishin futur në karantinë, për çka ambasadori gjerman e kishte demantuar.

Pacolli akuzon ambasadorin gjerman: Heshte ndaj shkeljeve të Kushtetutës nga Kurti