Autobusi me lojtarë të Crvena Zvezdës kthehet mbrapsht nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinje – Foto : Facebook/ FK Crvena Zvezda

Pacolli dënon deklaratat ultra-nacionaliste të Crvena Zvezdës

Zëvëndëskryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dënuar deklaratat e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda.

Pacolli ka shkruar në Facebook se futbolli nuk duhet të abuzohet politikisht.

Sipas tij, ekipet serbe të futbollit nuk mund të luajnë në Kosovë pa respektuar rregullat dhe ligjet e Kosovës, përfshirë lejen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

“I dënoj deklaratat ultra nacionaliste sot nga klubi serb i futbollit Crvena Zvezda. Futbolli nuk duhet të abuzohet politikisht dhe nuk mund të shërbejë si një mjet për përhapjen e urrejtjes dhe ultra-nacionalizmit. Ekipet serbe të futbollit nuk mund të luajnë në Kosovë pa respektuar rregullat dhe ligjet e Kosovës, përfshirë lejen e Federatës së Futbollit të Kosovës. Serbia dhe klubet e saj të sponsorizuara duhet të ndalojnë ultra-nacionalizmin si një mjet kundër Kosovës dhe t’i japin fund provokimeve”, ka shkruar Pacolli.

Gjatë ditës së sotme policia e Kosovës nuk ka lejuar futbollistët e klubit nga Beogradi.

Autobusi me futbollistët dhe drejtuesit e Crvena Zvezdës është kthyer mbrapsht nga Policia e Kosovës në pikën kufitare të Jarinjes.

Ditë më parë, FFK i kishte kërkuar Policisë së Kosovës të mos e lejonte ndeshjen mes Crvena Zvezdës dhe klubit serb Trepça, e cila do të duhej të zhvillohej në Zubin Potok në kuadër të Kupës së Serbisë.

Federata e Futbollit të Kosovës kishte thënë se ajo është organi i vetëm i autorizuar për të organizuar ndeshje të karakterit zyrtar brenda territorit të Kosovës.

Ndërkohë, FIFA ditë më parë e ka ‘inkurajuar’ FFK-në që ta lejojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje.