Behgjet Pacolli I Foto: MPJ

Pacolli akuzon ambasadorin gjerman: Heshte ndaj shkeljeve të Kushtetutës nga Kurti

Deputeti nga radhët e AKR-së, Behgjet Pacolli, ka vazhduar polemikat rreth situatës së krijuar gjatë ditës së sotme lidhur me kthimin e tij në Kosovë nga Zvicra.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, reagoi ndaj një deklarate të Pacollit, ku ky i fundit tha se misionet diplomatike janë të përjashtuara nga vendimi për karantinë.

Tash deputeti Pacolli i ka reguar ambasadorit Heldt, duke e akuzuar për ‘heshtje’ gjatë “shkeljes së vazhdueshme” të Kushtetutës nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

“Një qasje më parimore në mbrojtje të kushtetutës dhe ligjit do të mirëpritet. Heshtja juaj për shkeljen e vazhdueshme që Kurti bëri ndaj kushtetutës nuk ishte e dobishme për vendin dhe demokracinë e saj. Ne i shohim rezultatet. Karantina nuk është me ligj dhe as me kushtetutë”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social ‘Twitter’.

Po ashtu, edhe shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, i ka reaguar Behgjet Pacollit.

Wigemark përmes Twitter-it ka shkruar se i gjithë stafi i EULEX-it që kthehet në Kosovë duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.