Pacientja nga fshati Irzniq i Deçanit konstatohet me COVID-19 pa kryer testin

Me rritjen e numrit të rasteve është bërë shumë e vështirë që të arrish të jesh në mesin e atyre që kryejnë testin PCR për Covid-19, duke u anashkaluar nga mjekët edhe nëse jeni me simptoma jo të lehta.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me pacienten Atifete Mushkolaj nga fshati Irzniq i Deçanit.

Kunati i saj për Kallxo.com Bekim Mushkolaj ka deklaruar se Atifete Mushkolaj është me simptoma që nga data 15 korrik, e cila ishte trajtuar fillimisht në ambulantën e fshatit, deri sa i kanë filluar simpomat më të rënda dhe është dërguar në Spitalin e Pejës, ku i ishte thënë se në bazë të rëntgenit është e infektuar me virusin Covid-19.

“Kunata ime është me simptoma që nga data 15 korrik ku për një javë është trajtuar në ambulantën e fshatit me infuzion nga mjekja familjare, kurse të shtunën e kaluar e kemi dërguar në Spitalin e Pejës pasi i është përkeqësuar gjendja me temperaturë, kokëdhimbje dhe lodhje të madhe. Në emergjencë të spitalit i është bërë fotografimi ku i ishte thënë se në bazë të tij është me virus pa kryer test”, është shprehur Mushkolaj.

Sipas Bekim Mushkolajt, pas disa ditësh është dërguar në Infektive të Spitalit të Pejës ku edhe aty i kanë thënë se ka virusin COVID-19 në bazë të rëntgenit, madje ata kishin shtuar se i prekur është edhe bashkëshorti i saj i cili nuk është kontrolluar.

“Më datë 4 korrik e kemi dërguar në Infektivë të Spitalit të Pejës ku edhe aty i është thënë se ka virusin në bazë të rëntgenit, madje edhe bashkëshorti i cili nuk është në gjendje të mirë është konstatuar si i prekur me virus pa e kontrolluar fare”, u shpreh tutje Mushkolaj.

Tutje ai shtoi se vëllai dhe kunata e tij nuk figurojnë askund si të infektuar, nuk janë të evidentuar nga asnjë institucion, madje as si të dyshuar. Kurse sa i përket ilaçeve ata po trajtohen vetëm me antibiotik, vitamin C dhe tableta beviplex.

“Ajo që është shqetësuese është fakti që askund nuk janë futur në listë për testim, madje nuk figurojnë askund si të prekur me virus, nuk janë të evidentuar nga institucionet. Ata po trajtohen me disa antibiotik, vitamin C dhe tableta Beviplex”, ka shtuar tutje Mushkolaj.

Atifete Mushkolaj është e lindur në vitin 1975, sipas Mushkolajt asaj nuk i është dhënë asnjë udhëzim nga spitali i Pejës për kontroll në Prishtinë, vetëm i janë përshkruar ilaçet e lartpërmendura.

“Kunata është e linduar në vitin 1975, që i bie se bënë pjesë deri diku në kategoritë e rrezikuara marrë parasysh atë që po ndodh në Kosovë, është e patestuar dhe po trajtohet vetëm më disa ilace të përshkuara duke mos i dhënë udhëzim për kontroll apo testim”, ka shtuar tutje Mushkolaj.

Kallxo.com është munduar të marr përgjigje nga Skënder Dreshaj, drejtor i Spitalit në Pejë lidhur me rastin në fjalë por nuk kemi marr ndonjë deklarim deri në momentin e publikimit.

Para dy ditëve u raportua për vdekjen e dy pacientëve si të dyshuar me COVID-19 të patestuar që kishte dal si njoftim i Spitalit të Pejës.

 

Pejë, vdesin dy pacientë të dyshuar për COVID-19 por të patestuar