Ilustrim

Pacientja me kancer të gjirit mbetet pa pension për më shumë se 8 muaj

Z.M. paciente me kancer të gjirit dhe mbi 100 qytetarë tjerë me sëmundje të tjera apo aftësi të kufizuara nga komuna e Malishevës, kanë muaj të tërë që nuk kanë marrë pensionet në vlerë prej 100 euro.

Kjo për shkak se nuk u është bërë rivlerësimi i gjendjes shëndetësore nga komisioni, që është kompetencë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Djali i pacientes me kancer të gjirit D.M. tha për KALLXO.com, se për 8 muaj sa nëna e tij nuk ka marrë pensionin, ndonëswe thekson se ai ka shkuar dhjetëra herë në komunë, për t’i pyetur lidhur me këtë pension, e ata i kanë thënë që do ta thërrasin.

Artan Paçarizi, Zyrtar për Komunikim me Publikun në Malishevë tregoi për KALLXO.com se ka raste që presin që nga janari e të tjerë që presin edhe më gjatë, për t’u rivlerësuar.

Zëvendësdrejtori i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Skender Asllani për KALLXO.com konfirmoi se arsyeja e kësaj vonese është pamundësia e rivlerësimit nga komisioni, për shkak të numrit të madh të rasteve.

“E kemi problem se kemi vëllim të madh.” – tha ai.

Asllani ka treguar se pas dërgimit të pyetjeve nga KALLXO.com, Z.M. është ftuar për trajtim në komisionin e datës 6 tetor 2022.

“Ia kam shkru e-mailin edhe ia kam përcjellë numrin e lëndës, fatmirësisht ma kishe pas dërgu në e-mail, edhe iu thashë, ju lutem në seancën e parë të mundshme me e thirr këtë palë.” – tregoi ai.

Ndërkohë që një pjesë të fajit ia lë edhe palës.

“Te ky rasti që është 8 muaj, unë të garantoj që një pjesë të madhe të fajit e ka pala ma shumë se cilido tjetër.”

Kjo pasi që sipas tij, nuk ka shanse që ata të mos e kenë thirrur për 8 muaj, mirëpo ai tha se pala nuk është përgjigjur.

“Te rasti konkret ka të ngjarë që s’e kanë thirrë tri herë, e kanë thirrë 2 herë, kanë lanë edhe një mundësi me e thirrë, edhe për së treti nuk lajmërohet, ne e ndërpresim procedurën ligjërisht, edhe pala le të fillon me riaplikim.” – shtoi ai.

Ndonëse tha se ka fakte që e kanë thirrur, ato nuk i dërgoi, me arsyetimin se “nuk është i interesuar se si ka ndodhur, por vetëm të bëjë zgjidhje dhe se është shumë i zënë me punë të tjera”.

“Unë ta kam kthy përgjigjen edhe pala shkon në rivlerësim, a aprovohet a refuzohet është çështje e komisionit, edhe unë e konsideroj këtë çështje të mbyllur” – përfundoi ai.

Përkundër deklaratës së zyrtarit të ministrisë, familjari i pacientes me kancer të gjirit, ka mohuar se kanë marrë thirrje nga ky institucion.

Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti parasheh kushtet dhe kriteret për përfitimin e këtij lloji të pensionit.