Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacienti që vdiq pas operimit në QKUK është varrosur pa iu bërë autopsia

Pacientit që vdiq të entjen në në Klinikën e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pas intervenimit që kishte në zemër, nuk iu është bërë autopsia, merr vesh KALLXO.com nga burimet brenda Prokurorisë së Shtetit.

Familja nuk ka kërkuar që trupi i viktimës t’i nënshtrohet autopsisë dhe pas vdekjes e kanë marrë atë për të vazhduar me ceremoninë e varrimit.

KALLXO.com merr vesh se një ditë pas vdekjes në Klinikën e Kardiokirurgjisë, E.M. i moshës 63 vjeçare është varrosur më 5 janar rreth orës 14:00 në varrezat e fshatit Shipol të Mitrovicës.

Për vdekjen e tij, u.d. Drejtori i Kardiokirurgjisë, Rifat Behramaj dje ka vënë dyshime duke thënë se mjekët që e operuan atë nuk kanë qenë kompetentë dhe nuk e kanë pasur përvojën e duhur.

Kirurgu Kushtrim Shala, i cili kreu operacionin për të cilin edhe kishte shkruar në Facebook duke treguar se kjo është hera e parë që operacioni “David” bëhet në QKUK, ka reaguar ndaj komenteve të Behramajt dhe ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjes.

Ai ka thënë se komentimi i tij lidhur me rastin pa diskutuar fare në kolegjiumet profesionale është joetik, joprofesional dhe kriminal, sepse, sipas tij, ka të bëjë me tendencën për të eliminuar kolegun.

Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala dhe drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, për të parë mundësitë e shkeljeve profesionale dhe shkeljeve etike pasi që pacienti i operuar kishte vdekur disa orë pas intervenimit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Kanë nisur hetimet në dy niveleve pas vdekjes së pacientit për mundësinë e shkeljeve profesionale po edhe shkeljeve etike si prej anës së mjekut ashtu edhe të drejtorisë” – tha ai për KALLXO.com.

Sejdiu ka sqaruar edhe procedurat se si do të hetohet rasti.

“Janë çështje të prokurorit të Odës i cili i merr deklaratat e tyre. Presim edhe raportin prej inspektoratit shëndetësor i cili i mbledhë gjitha dokumentacionet dhe ia dorëzon Odës, kjo është procedura. Pastaj edhe nëse është fut edhe prokuroria e shtetit që siç kemi marr vesh që po, me siguri do të lypet edhe ekspertizë” – u shpreh ai.

Sejdiu tha se nuk kanë informacione nëse është bërë autopsia e personit.

Ndërkaq, Policia e Kosovës është autorizuar nga Prokurori i Shtetit që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme me qëllim të sqarimit të rastit të vdekjes së një pacienti, i cili vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shënim: Artikulli është edituar në paragrafin e parë. Burimi i informacionit ka qenë nga Prokuroria e Shtetit dhe jo nga familjarët.

Kirurgu i QKUK-së e shpërndau si të suksesshëm operacionin, pacienti vdiq pas disa orësh