
Pacienti në sallë të operacionit, doktori në pushim
Një pacient në QKUK është kthyer prapa te dera e sallës së operacionit derisa përvoja e tij tregon keqmenaxhimin që ndodh në Qendrën Klinike Universitare.
Drin Haxhijakupi, një i ri nga Prishtina, më 26 shtator ishte shtrirë në Klinikën e Otrinolaringologjisë (ORL) në QKUK. Të nesërmen, më 27 shtator, pacienti Haxhijakupi kishte një termin për operim për gjëndrën tiroide.
Ai ishte bërë gati për t’u futur në sallë, ishte veshur me rrobat që pacientët vishen para operimit madje atij i ishte dhënë edhe injeksioni “Fraksiparin”.
Por, kur kishte mbërritur te salla ishte njoftuar se doktori, Zgjim Limani, i cili ishte paraparë ta operonte, nuk ishte në punë.
“Më 26 shtator jam shtri në Spitalin e ORL-së për operimin e gjëndrës tiroide. Më 27 më kanë thënë se e kam operimin në mëngjes por gjatë mëngjesit, në ora 06:00 motra ka ardhë me më përgatitë për operacion, ma kanë dhënë një injeksion, “Fraksiparin”, i kam veshur rrobat që duhet për operacion dhe diku ora 07:30 më kanë thënë me shku në sallë të operacionit” – thotë pacienti Drin Haxhijakupi.
“Te salla e operimit ka dalë anesteziologu dhe më ka thënë që sot nuk mundesh me u operu sepse doktori nuk ka ardh në punë. I thash me çfarë arsyetimi, më tha se është i sëmurë” – thotë ai.

KALLXO.com hulumtoi rastin e pacientit Drin Haxhijakupi.
Të dhënat tregojnë se doktori Zgjim Limani kishte kërkuar pushim një ditë para se operimi i pacientit të ndodhte.
Në bisedat e ndara me doktorin dhe menaxhmentin e Klinikës së ORL-së janë dy versione të ndryshme nga njëra-tjera.
Limani fillimisht përmes telefonit thotë se e ka kërkuar ditën e pushimit me anë të mesazhit në telefon.
“Jo, nuk është e vërtetë, unë kam njoftuar me kohë, njoftohuni në drejtori kur e kanë marrë njoftimin që unë nuk do të jem atë ditë në punë, do të thotë, nuk është e vërtetë. Unë kam pasë ditë të lirë, d.m.th. këtë ceke sepse çdo lloj informate tjetër që publikoni ju padis” – tha doktor Zgjim Limani.
“Shikoni drejtorin, konsultojeni, në Klinikë të ORL-së, s’keni nevojë hiç mua me m’thirrë, shkoni pyeteni a kam pasë unë ditë të lirë apo jo. Unë mundem edhe mesazhin me ta tregu, me të cilin kam njoftuar drejtorinë që nuk do të jem në punë, po s’po e shoh të arsyeshme me ta dërgu… Unë s’e di as a je gazetar a çka je” – deklaroi ai.
Por, ndryshe nga doktori deklaroi zëvendësuesi i drejtorit të ORL-së, Flamur Ukaj.
Ai tha se kërkesën për pushim nga Limani e pranoi gojarisht, më 26 shtator, gjatë një mbledhjeje brenda Klinikës.
“Ai ka kërkuar prej meje gojarisht, kështu-kështu po më vyen, a po kupton. Jo, jo, ka kërkuar gojarisht, s’ka nevojë me çu mesazh kur ne jemi në mbledhje në ora 07:30 dhe 13:30 pasdite. Jo, jo, e ka kërkuar masdite. Në 07:30 ai atë ditë ka punuar, një ditë përpara… kemi mbledhje edhe në 07:30 edhe në 13:30” – tha Ukaj përmes telefonit.
Madje, Ukaj ishte shumë i bindur se pushimin Limani e kërkoi “në katër sy” e jo përmes mesazhit.
“Ja mua me mesazh pushim nuk më ka kërkuar, a po kupton, nëse e ka informuar dikë tjetër, ajo është çështje tjetër ama mua më ka kërkuar direkt, a mesazh, s’ka mesazh se unë me mesazhe nuk punoj, unë punoj direkt, a po më kërkon ditë të lirë, po, pastaj çka ka bë tek ka bë, unë nuk jam polic o Valon me përcjell” – tha ai përmes telefonit.
Por, në një intervistë disa ditë më vonë, zëvendësuesi i drejtorit të Klinikës së ORL-së në QKUK tha se doktori Zgjim Limani nuk e kërkoi pushimin as përmes mesazhit, as në mbledhje, por është telefonuar nga ai.
“Pacienti në fjalë ka pasur të operohet nga dr. Zgjim Limani, i cili një ditë më herët, gjatë orarit të pasdites, ka kërkuar leje nga unë meqenëse unë kam qenë duke e zëvendësuar drejtorin” – ka thënë Ukaj.
“Ai ka kërkuar nga unë, për arsye personale, të ketë një ditë të lirë. Ajo ditë e lirë i është dhënë nga unë, jo vetëm atij po secilit punëtor që do ta kërkonte” – thotë tutje zëvendësuesi i drejtorit të ORL-së.
Tutje, ai thotë se doktor Zgjim Limani e telefonoi për të kërkuar pushimin, jo përmes mesazhit apo në takim.
“Jo, nuk jam takuar, përmes telefonit. Ne jemi takuar në mbledhje të 13:30, por jo gojarisht nuk më ka kërkuar pushimin, përmes telefonit më ka thënë për pushim” – thotë ai.
Zgjim Limani ishte dënuar në prill të këtij viti për një rast të ngjashëm.
Siç deklaron zëvendësuesi i Kryeinspektorit të Shëndetësisë, Shaban Osmanaj, Limani ishte zënë në flagrancë nga inspektorët derisa në orarin e tij të punës në QKUK ishte duke punuar në një klinikë private.
Ndërsa, sa i përket rastit të fundit, Osmanaj tha se kanë nisur hetimet.
“Në fakt, ne nuk kemi qenë të njoftuar për rastin, por të premten kemi pranuar një shkresë nga ana e juaj dhe tani jemi në ngjarje dhe jemi në veprime sipas ligjit, sapo kemi nisur hetimet” – thotë Osmanaj për “Kallxo Përnime”.

“Në muajin prill kemi pranuar një informatë që profesionisti në fjalë, në ditën për të cilën ka qenë për të ofruar shërbime shëndetësore në klinikën publike, është zënë duke ofruar shërbime në një klinikë private. Është konstatuar fakti dhe doktori në fjalë është dënuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë eurove” – thotë ai.
Për të dyja rastet, përmes një përgjigjeje me shkrim ka folur edhe vetë doktor Zgjim Limani.
“Po, me datë 26 shtator në orët e pasdites kam kërkuar nga menaxhmenti i Klinikës së ORL-së për ditë të lirë me datën 27.09 2022. Kërkesë e cila më është miratuar” – thotë Limani.
Për dallim nga deklarimet në telefon, tash Limani thotë se kërkesën për pushim te menaxhmenti i ORL-së e ka bërë përmes thirrjes telefonike, e jo përmes mesazhit.
“Kërkesën e kam bërë në mënyrë zyrtare. Ka shumë pak rëndësi nëse kërkesa është bërë përmes thirrjes telefonike apo mesazhit dhe nuk është çeshtje për të cilën duhet të ju jap llogari juve. Duke pasë parasysh që një artikull i tillë është i porositur dhe me qëllim për të dezinformuar atëherë po ju jap detaje edhe për këtë çështje totalisht jorelevante. Zëvendësdrejtorin e Klinikës e kam njoftuar përmes thirrjes telefonike, kurse të nesërmen në ora 6:30 në mëngjes me mesazh kam njoftuar edhe dy punonjës të tjerë të administratës/klinikës së ORL-së” – thotë ai.
“Arsyet e marrjes së ditës së lirë janë personale. I jam përmbajtur procedurave që aplikohen në Klinikën e ORL-së që më shumë se gjashtë vite që punoj aty” – deklaron Zgjim Limani.
I njëjti dha një version edhe për rastin për të cilin ishte dënuar nga Inspektorati Shëndetësor.
“Në prill të vitit 2022 ka pasë një pretendim të ngjashëm nga Inspektorati Shëndetësor, çështje e cila është akoma në shqyrtim dhe nuk ka një vendim përfundimtar. Përndryshe për të njëjtin pretendim është formuar edhe një komision disiplinor nga SHSKUK ku jam shpallur me vendim të plotfuqishëm i pafajshëm” – deklaroi ai.
Për rastin e Zgjim Limanit kanë folur edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).
“Po dr. Zgjim Limani është dënuar me gjobë nga Inspektorati Shëndetësor për rastin në prill. Mirëpo, komisioni disiplinor që është mbajtur për rastin e njëjtë ka vendosur se nuk ka bazë për procedim disiplinor ndaj dr. Zgjim Limanit” – thuhet në përgjigje.
“Sa i përket rastit të fundit unë nuk kam qenë në klinikë, në atë kohë me ka zëvendësuar dr. Flamur Ukaj, i cili tha se dr. Zgjimi ka pasur probleme shëndetësore dhe ka kërkuar ditë të lirë me arsye”- thuhet në përgjigje.