Pajisje kardiake Ilustrim: Pixabay

Pacientëve në Rumani dyshohet se iu vunë pajisje kardiake të të vdekurve

Një mjek rumun është arrestuar nën akuzat se ka mbledhur ilegalisht qindra pajisje për stimulim të ritmit të zemrës (pacemaker) dhe defibrilatorë nga kufomat, dhe i ka përdorur për pacientët e rinj në një periudhë shtatëvjeçare – ndonjëherë edhe pa pasur nevojë pacientët – për përfitime personale.

Prokurorët kanë nisur hetime penale më 17 shkurt për Dan Tesloianun, kardiologun 52-vjeçar nga Spitali “Shën Spiridon” në verilindje të qytetit Iasi, nën dyshimet se ai ka punuar me katër mjekë tjerë, të cilët i kanë ndihmuar të gjejë pacientë të sëmurë, për t’ua marrë pajisjet kardiake nga trupi, pasi kanë vdekur.

Sipas prokurorëve, ata i kanë prezantuar më pas ato pajisje si të reja dhe në mënyrë ilegale kanë përfituar nga pacientët.

Mjekët janë duke u hetuar për 238 raste të tilla në periudhën nga viti 2017 deri në gusht të vitit 2022.

Ky rast e ka shokuar Rumaninë, shtet që është përballur edhe në të kaluarën me skandale në fushën e shëndetësisë dhe korrupsion endemik.

Sistemi shëndetësor në Rumani është dëmtuar rëndë nga mungesa e efikasitetit dhe menaxhimi i polarizuar. Rumania është vendi që shpenzon më së paku për shëndetësi në Bashkimin Evropian, pas Bullgarisë.

Një prej mjekëve më të mirënjohur të Rumanisë është shprehur i shokuar me skandalin e fundit shëndetësor.

“Jam mjek qe 30 vjet dhe kjo shkon përtej çdo gjëje tjetër”, ka thënë Dan Coriu, president i Kolegjit Mjekësor të Rumanisë.

“Mrekulli e Zotit që jam gjallë”

Ligji rumun e ndalon në mënyrë specifike ripërdorimin e pajisjeve mjekësore nga trupi i personave të vdekur.

Në rastin e Dan Tesloianus, prokurorët që hetojnë krimin e organizuar kanë thënë se personat e vdekur as nuk janë konsultuar para vdekjes – as familjet e tyre – për heqjen e pajisjeve pas vdekjes.

Tesloianu nuk i ka komentuar akuzat në gjykatë, mirëpo avokati i tij ka insistuar se “ai ka shpëtuar jetë”.

Por, jo të gjithë pacientët pajtohen me këtë deklaratë.

Një grua rumune e identifikuar si Ana G., 57-vjeçare, është vetëm një prej pacientëve që është trajtuar nga kardiologu në 20 vjetët e fundit, ka raportuar Shërbimi rumun i Radios Evropa e Lirë.

Në maj të vitit 2021, asaj i është vendosur kjo pajisje në zemër, e cila pothuajse e ka mbytur.

“Procedura ka qenë e vështirë, komplikimet më kanë nisur menjëherë, të cilat gati më kanë çuar në prag të vdekjes”, ka thënë ajo.

“Është mrekulli e Zotit që jam gjallë. Pajisja nuk më është vendosur si duhet dhe nuk ka punuar asnjë moment për ta sinkronizuar zemrën time. Po bëhem cinike tani, por mendoj nëse ajo pajisje ka qenë e një personi të vdekur”.

Qindra operime të tilla ilegale?

Tesloianu ka implantuar 4.000 pajisje për stimulim të pulsit të zemrës gjatë karrierës së tij, kanë thënë avokatët.

Prokurorët kanë thënë se të paktën prej viti 2017, disa prej defibrilatorëve dhe stimuluesve të pulsit të zemrës, që janë përdorur nga Tesloianu dhe kolegët e tij, janë marrë nga kufomat, hap joligjor në Rumani.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rumanisë, e cila është duke e hetuar rastin, ka thënë se ai ka kryer 238 “abuzime” duke implantuar pajisje kardiake të marra nga trupat e vdekur prej vitit 2017.

Prokurorët rumunë kanë thënë përmes një deklarate se “Dan Tesloianu ka vepruar ‘me vetëdije’… dhe i ka injoruar rreziqet e shkaktimit të komplikimeve shëndetësore te pacientët apo edhe vdekjen e tyre”.

Ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht nëse ndonjëri prej pacientëve ka vdekur për shkak të atyre që dyshohen të jenë procedura joligjore, ndonëse faqja online e lajmeve Adevarul, ka raportuar se të paktën dy njerëz kanë vdekur.

Prokurorët kanë thënë se i dyshuari e ka shfrytëzuar një rreth mjekësh, të cilët ia kanë siguruar pajisjet “përfshirë ato nga trupat e kufomave”, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe rregulloret.

Në mesin e katër mjekëve që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij rrethi është Eduard Belu, një mjek ushtarak në qytetin Brasov, për të cilin prokurorët kanë thënë se ka qenë mik i afërt i Tesloianut.

Pajisjet nuk kanë pasur garanci nga Ministria e Shëndetësisë, siç kërkohet, dhe asnjë dokument nuk ka treguar se ato janë sterilizuar para se të implantoheshin.

Prokurorët kanë thënë se “një numër i madh” i intervenimeve kirurgjike nuk qenë të nevojshme dhe mjekët kanë bërë “diagnoza të rreme”, përfshirë përshkrimin e ilaçeve që mund të shkaktojnë “simptoma specifike” sikurse ato që e ngadalësojnë pulsin e zemrës së një pacienti, për t’i bindur ata që u duhet një pajisje për zemër.

Tesloianu është paraqitur para gjykatës në Bukuresht javën e kaluar dhe gjyqtari ia ka shqiptuar masën e ndalimit për 30 ditë.

Avokatët e tij e kanë apeluar vendimin.

Avokati i mjekut Tesloianu, Marius Todeanca, e ka mbrojtur avokatin e tij në gjykatë, duke pretenduar se ai i ka marrë pajisjet nga personat e vdekur “për të shpëtuar jetë”, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

“Askush nuk e thotë që nuk janë shpëtuar jetë. Ai ka karrierë 21-vjeçare dhe ka kryer mbi 4.000 procedura kirurgjike”, ka thënë Todeanca, duke pretenduar se pajisjet për ritëm të zemrës janë shitur lirë.

“Sipas traktateve ndërkombëtare, ju mund të përdorni pajisje që janë marrë nga trupat e vdekur. Ta bëjmë një pyetje tjetër: A është ligjore të vdesësh nëse nuk ka fonde të mjaftueshme për pajisje të tilla?”, ka thënë Todeanca.

Sipas ligjit rumun, një pajisje për stimulim të pulsit të zemrës paguhet nga kompania publike e sigurimit shëndetësor, ndonëse ndonjëherë pacientët përfundojnë duke paguar vetë për dhe më pas kërkojnë rimbursim për shpenzimet.

Ministria rumune e Shëndetësisë ka thënë se ligji “e ndalon në mënyrë specifike” ripërdorimin e pajisjeve dhe materialeve tjera siç janë ato që janë implantuar në trupa tjerë”.

Në korrik të vitit të kaluar, Administrata Ndërkombëtare e Tregtisë, ka thënë se Rumania ka shpenzuar 16.7 miliardë dollarë, apo 872 dollarë për person më 2021.

Ky institucion ka thënë se shpenzimet qeveritare për shëndetësi janë më të mëdha sesa në shtetet tjera të Evropës Lindore sikurse Rusia, Moldavia dhe Ukraina, por më të vogla sesa ato të shteteve si Kroacia.

Pavarësisht përpjekjeve për të promovuar kujdesin primar, shuma e shpenzimeve shëndetësore që ndahen për kujdesin primar dhe atë ambulantor (18.6 për qind) është e dyta më e ulëta në BE, pas Bullgarisë.

Prokurorët kanë qenë për hetime në Spitalin “Shën Spiridon” javën e kaluar dhe kanë vërejtur se në pajisjet e papërdorura mjekësore është cekur se ato janë për një përdorim dhe nuk duhet të ripërdoren apo sterilizohen, ka thënë Ministria rumune e Shëndetësisë.

Rumunët bëjnë thirrje për drejtësi

Ndonëse rumunët janë përballur tash e një kohë me gjendjen e rënduar të sistemit shëndetësor, lajmet për skandalin e fundit i kanë befasuar shumë banorë.

Mijëra rumunë kanë komentuar nëpër rrjetet sociale duke kërkuar që mjekët e përfshirë në skandal të “ndëshkohen ashpër” nëse shpallen fajtorë.

Prokurorët kanë thënë se Tesloianu, bashkë me Belun, e kanë ditur se cilët pacientë veçse kanë pasur pajisje në zemër.

Kur ata pacientë kanë vdekur, të dy janë angazhuar në heqje të pajisjeve dhe e kanë implantuar atë te pacientët që kanë pasur nevojë, me ndihmën e mjekëve tjerë që janë përfshirë në këtë rast.

Ata u kanë kërkuar pacientëve 2.000-3.000 euro për një pajisje që është marrë nga një person i vdekur – pra sikurse pajisja të ishte e re.

Për më shumë, prokurorët kanë thënë se jo të gjithë pacientët kanë pasur nevojë për pajisje kardiake.

Një paciente e paidentifikuar, e cila është operuar më 2013 nga Tesloianu, i ka thënë televizionin rumun Antena 1, se stimuluesi i saj për pulsin e zemrës ka qenë “i dobët”.

Ajo ka thënë se nuk ka pasur kurrë qasje në dokumente që kanë treguar se pajisja që i është vendosur në zemër ka qenë e re.

Ajo ka thënë se Tesloianu ka insistuar shtatë herë që ajo të operohet.

“Tani e di pse”, ka deklaruar ajo.

Një tjetër pacient është ankuar se “pajisja nuk ka funksionuar kurrë” dhe se ka pasur komplikime.

“Në vend që të më ndihmonte, ma ka shkatërruar jetën./REL