Pacientët e Prishtinës nga sot nuk do të presin për koronarografi dhe stentim
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, kanë filluar me zbatimin e pilot projektit përmes së cilit pacientët e rajonit të Prishtinës që pësojnë infarkt akut të miokardit do të kenë mundësi që në kohë rekorde të marrin trajtimin në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë Invazive, përkatësisht të sjellë direkt për koronarografi dhe stentim, pa e humbur kohën e çmuar.
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, sipas postimit në facebook, ka thënë se ShSKUK, përmes Klinikës së Kardiologjisë do të mundësojë që pacientët që pësojnë infarkt të miokardit do të sjellë direkt në Kardiologji Invazive nga Enti i Urgjencës së Komunës së Prishtinës, duke shfrytëzuar kohën që në mjekësi njihet si koha e “artë” në reagim të shpejtë.
Sipas tij, ky është vetëm fillimi i projektit që parashihet të zgjerohet në tërë Kosovën.
Këtë bashkëpunim e kanë vlerësuar edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj dhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, të cilët kanë falënderuar ShSKUK-në, duke ofruar të gjitha kapacitetet mjekësore dhe infrastrukturore për të zbatuar këtë projekt jetik për pacientët.