Pa u shqyrtuar ankesa ndaj vendimit, QKSUK ia ndalë doktorit 20% të pagës
Specialistit të Ortopedisë së Nofullave, Ekrem Çitakut i është ndalur 20% e shumës nga paga e tij.
Ky vendim ishte marrë nga Komisioni Disiplinor në kuadër të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës(QKSUK).
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se doktori Ekrem Çitaku është raportuar nga Shefi i Klinikës së Ortodoncisë, Sokol Krasniqi.
Në vendim pretendohet se doktori Çitaku “ka mungesa të shpeshta nga 4-5 orë brenda ditës dhe së paku 4 herë në javë, me dhe pa aprovimin tim (Shefit të klinikës).
Po ashtu, në arsyetimin e vendimit, pretendohet se Ekrem Çitaku “nuk iu është përgjigjur detyrave të punës kur ishte ftuar për të dal në sallë për të trajtuar pacientët, në kohën kur kishte mungesë të stafit për shkak të pushimeve vjetore”
Doktori Ekrem Citaku thotë se e ka apeluar këtë vendim brenda afatit ligjor, por që pretendon se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nëse është shqyrtuar ankesa e tij apo jo.
“Duke qenë se ankesa ime ende nuk është shqyrtuar dhe unë nuk jam njoftuar për asnjë vendim lidhur me të, ligjërisht konsiderohet se ndalesa prej 264 euro nga paga ime është veprim abuziv nga ana e drejtorit të QKSUK-së, Kastriot Meqa dhe nuk është në përputhje me ligjin në fuqi. Ligji për procedurën e përgjithshme administrative është përcaktuar se ‘përveç kur parashikohet ndryshe me ligj, parashtrimi i ankesës pezullon sipas fuqisë së ligjit përjashton pasojat juridike të aktit administrativ, deri në njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën”, – ka thënë Çitaku.
Këtë veprim ai e ka quajtur ‘ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes së komisionit disiplinor’.
“Veprimet e tij si dhe ndërhyrjet në çdo proces, ngrisin dyshime se ka njohuri paraprake për vendimin që do të merret nga komisioni i ankesave ose në rastin më të keq, po paragjykon rezultatin e shqyrtimit të ankesës time. Kjo lë të kuptohet se procesi nuk është duke u trajtuar në mënyrë të paanshme dhe transparente siç kërkohet nga rregullat e institucionit dhe ligjet në fuqi”, – thotë Çitaku për KALLXO.com.
I pyetur për këtë rast, drejtori i QKSUK-së, Kastriot Meqa nuk e ka komentuar vendimin për ndalesën prej 20% të pagës para se të merret një vendim nga Komisioni Disiplinor.
“Komisioni disiplinor ka nxjerrë vendim ndaj Dr. Ekrem Çitakut për shkelje të rëndë disiplinore për shkak të mosrespektimit të detyrave të punës në klinike, me masën e ndalesës për 20% të pagës për një muaj. Mbetet të shihet nëse ankesa ndaj këtij vendimi është e bazuar apo jo dhe do të veprohet konform dispozitave ligjore në fuqi”, – ka thënë Meqa.
Avokati i doktorit Ekrem Çitaku, Taulant Hajdari tha për KALLXO.com se ligjërisht ankesa e pezullon ekzekutimin e vendimit.
“Meqenëse Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka kërkuar shtyrjen e afatit për vendosje për shkak të raportimit të konfliktit të interesit, rrjedhimisht i bie që të shtyhet edhe ekzekutimi i masës. Mirë po, kjo padyshim që paraqet shkelje dhe është në kundërshtim me ligjin”, – ka thënë Hajdari.
Sipas dispozitave të nenit 130, paragrafit 1 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, parashtrimi i ankesës ka efekt pezullues, që nënkupton që akti administrativ ndaj të cilit është parashtruar ankesa, nuk mund të zbatohet, pa pasur një vendim lidhur me ankesën.