Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pa paralajmërim, zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministri Krasniqi vizitojnë Alban Hysenin në Gjilan

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi së bashku me ministrin e ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kanë vizituar Komunën e Gjilanit e cila qeveriset nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Vizita e Bislimit e Krasniqit në zyrën e kryetarit të komunës nuk është paralajmëruar fare në agjendën e Qeverisë së Kosovës.

Klisman Kadiu, këshilltarë i zëvendëskryeministrit Bislimi për KALLXO.com tha se vizita e sotme është vazhdim i asaj të djeshmes.

“Z. Bislimi ka qenë ditën e djeshme në Gjilan e po ashtu dhe ditën e sotme në Gjilan dhe Kamenicë, për shkak se nuk u arrit të përmbyllej vizita siç ishte e planifikuar brenda ditës së djeshme. Dje në Gjilan, së bashku me zëvendësministrin Durmishi dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë inspektuar punimet e autostradës Gjilan-Prishtinë” –  tha Kadiu për KALLXO.com.

Vetura zyrtare e qeverisë para objektit të komunës së Gjilanit | Foto: KALLXO.com

“Ditën e sotme, zevendëskryeministri Bislimi është në përmbyllje të vizitës në Gjilan dhe Kamenicë, ku ka patur takime me kryetaret e Komunave, z. Hyseni dhe z. Rahimaj. Për më tepër, në vijim do shpërndahet dhe komunikata për media në lidhje me këto takime” – ka shtuar ai.

Sipas Kadiut, takimi nuk është paralajmëruar sepse në agjendën e Bislimit sot ka pasur diçka tjetër.

“Nuk ka asgjë të fshehtë. Takimet janë organizuar në moment të fundit, pasiqë më herët kanë qenë të parapara takime dhe aktivitete të tjera në agjendë. Ndryshimi i agjendës në momentin e fundit, ka sjellë zhvillimin e vizitave më herët”, shtoi ai.

Ministri i MAPL-s, Elbert Krasniqi tha për KALLXO.com se vizita e tij në Gjilan është vizitë e zakonshme, duke theksuar se kanë biseduar për programet dhe dinamikat e projekteve.

“Ka qenë vizitë e zakonshme në komuna. Është takimi i parë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Unë jam në çdo javë në komuna, puna me komuna është mandati im dhe do të shkoj vazhdimisht”, tha ai.

Komuna e Gjilanit dhe e Kamenicës janë në mesin e 4 komunave të cilat drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila qeverisë edhe në nivel qendror.

Sot gjatë ditës, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ftuar kryetarët e komunave për të diskutuar në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të mos i paguar shërbyesit civilë për ditët që kanë qëndruar në grevë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni për të kuptuar nëse ai do të përgjigjet pozitivisht kërkesës së Asociacionit të Komunave pë takim, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që po ashtu vjen nga LVV e ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Shpejtim Bulliqi nuk merr pjesë në takimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës