Lume Berisha - Foto: REL

Pa mundësi të barabarta për personat e verbër në Kosovë

Lume Berisha, nga Komuna e Kamenicës, rreth 60 kilometra larg nga Prishtina, si pasojë e një fatkeqësie në moshën trevjeçare humbi krejtësisht të parët, por kjo nuk e ndali që të magjistronte në Gazetari dhe të shkruajë dy libra.

Sot ajo i ka 41 vjet. Përgjatë nëntë vjetëve të fundit jeton dhe punon në Prishtinë. Ajo udhëheq emisionin autorial ‘Për një botë më të mirë’ në Radio Kosovë – transmetuesin publik kosovar, në të cilin kryesisht trajton temat lidhur me pozitën dhe të drejtat e personave me nevoja të veçanta.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta shënohet çdo 3 dhjetor derisa Lume Berisha tha për Radion Evropa e Lirë që personat me invaliditet nuk janë ‘gjithmonë të mirëpritur në shoqëri’.

“S’do t’ia dilja pa familje”

Edhe ajo vetë, madje, u ballafaqua me forma të ndryshme të diskriminimit. Nuk u regjistrua dot në Fakultetin Juridik pas përfundimit të shkollës së mesme sepse është e verbër. Më pas u ballafaqua me depresion dhe deshi të largohej nga Kosova. Me këtë qëllim iu drejtua ambasadave të huaja në Kosovë, por përgjigje mori nga Shtetet e Bashkuara krahas arsyetimit se shteti është i gatshëm ta ndihmojë të largohet. Megjithatë nga SHBA-ja i thanë se konsiderojnë që Lumja do të duhej të mbeste në Kosovë dhe të arsimohej në mënyrë që në të ardhmen të luftojë për arsimimin e të verbërve dhe fëmijëve me shikim të dobësuar.

“Sinqerisht, thashë ‘po’, por me gjysmë zëri. Kur e di se çfarë mundësi ke këtu, si të thuash ‘po’ me plot bindje”, tha Lume Berisha.

Megjithatë, në qëllimin e saj ia doli që të arsimohej, të regjistrohej në degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e pastaj t’i përfundojë edhe studimet master, kështu që sot është grua e përmbushur, e cila e bën punën që e do.

Berisha shtoi se nuk do t’ia dilte pa familjen e saj, e cila ishte mbështetje e përkrahje e vazhdueshme për të.

Nëna e saj, Nurije Berisha, e përcjell në çdo hap dhe e ndihmon të lëvizë lirshëm jashtë shtëpisë. Nurija tha se është krenare me Lumen dhe shtoi se prindërit të cilët kanë fëmijë me nevoja të veçanta, duhet të luftojnë për ta dhe të drejtat e tyre.

“Ky (invaliditeti) nuk është turp, për fëmijët duhet të sakrifikohesh. Unë jam shumë krenare me të. U them të gjitha nënave pavarësisht etnisë që të luftojnë për fëmijët e tyre”, tha ajo.

Ku arsimohen fëmijët e verbër dhe me shikim të dobësuar?

Ligji për arsimim në Kosovë për personat e verbër dhe me shikim të dobësuar u garanton të drejtën për arsimim dhe përdorimin e alfabetit të Brajit.

“Nxënësit me shikim pjesërisht të dobësuar, si dhe nxënësit e verbër kanë të drejtë të arsimohen duke përdorur alfabetin e Brajit, por kanë të drejtë të përdorin edhe mjetet e domosdoshme teknike që u ndihmojnë”, sqarohet në ligj.

Në Kosovë ekziston Qendra burimore për arsimimin dhe konsolidimin e fëmijëve të verbër dhe me shikim të dobësuar. Qendra ndodhet në Pejë, rreth 100 kilometra larg Prishtinës dhe aktualisht ka rreth 110 nxënës, të cilët kanë mundësi të shfrytëzojnë konviktin nëse vijnë nga ndonjë komunë tjetër e Kosovës.

Përpos që ofron mundësinë e arsimimit të fëmijëve në moshë nga 7-18 vjet, kjo qendër merret edhe me ofrimin e përkrahjes dhe edukimit të prindërve dhe fëmijëve deri në moshën gjashtëvjeçare në mënyrë që më vonë pa ndonjë telashe të mund të vazhdojnë arsimimin.

“Janë rreth 40 fëmijë nga 0 deri në 6 vjet, ata vijojnë çerdhet e rregullta. Ne u ofrojmë përkrahje përmes ekipit tonë mobil që punon në terren, si dhe u ofrojmë përkrahje familjeve. Ata vijnë në trajtime të përditshme, nuk mund të largohen nga familja sepse janë shumë të vegjël”, tha për Radion Evropa e Lirë, Xhavit Kastrati, drejtor i Qendrës burimore për arsimimin dhe konsolidim e fëmijëve të verbër dhe me shikim të dobësuar.

Ai përmendi që fjala është për arsimim gjithëpërfshirës të fëmijëve të verbër dhe me shikim të dobësuar dhe shtoi se rreth 50 prej tyre vijojnë mësimin në shkolla të rregullta në gjithë Kosovën.

Prej tyre ka edhe studentë në fakultete.

“Prej tyre katër janë krejtësisht të verbër, të cilët arsimohen në shkolla të rregullta me ndihmën e qendrës sonë dhe natyrisht kjo shkon në koordinim me shkollën dhe prindërit”, shpjegoi Kastrati.

Ai theksoi që arsimimi gjithëpërfshirës është e drejtë e të gjithë personave me nevoja të veçanta dhe shtoi se mënyra e këtillë e arsimimit mundëson që fëmijët të rriten afër prindërve të tyre.

Shoqata e të verbërve: Mungojnë asistentët që e dinë mirë alfabetin e Brajit

Mexhid Foniqi nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, në përgjithësi është i kënaqur me mundësinë dhe kushtet e arsimimit të personave me shikim të dobësuar dhe tha se edhe Qendra burimore në Pejë ndihmon shumë në arsimimin e fëmijëve në shkolla të rregullta.

Sipas tij, kjo qendër furnizon edhe shkollat e rregullta me literaturë në alfabetin e Brajit dhe literaturë me shkronja më të mëdha, por përmendi që mungojnë përcjellësit, të cilët do t’u ndihmonin fëmijëve të lëvizin.

“Ministria për Arsim aftësoi disa qindra asistentë, por mungon specializimi për të verbrit, sepse për alfabetin e Brajit këta asistentë nuk janë të aftësuar e nuk i kanë këto njohuri. Kjo duhet mundësuar, që fëmijët e verbër të kenë asistentë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se në vitin 1999, më shumë se 60 persona me shikim të dobësuar u regjistruan në fakultete dhe rreth 70 për qind e tyre edhe diplomuan, ndonëse për arsimin të lartë mungon ende më shumë literatura me alfabetin e Brajit.

“Ne siguruam audio-literaturë, por kjo është simbolike”, shtoi ai.

Shkollë e posaçme për të verbrit dhe persona me shikim të dobësuar nuk ka në gjuhën serbe

Mësimi në Qendrën burimore në Pejë zhvillohet në gjuhë shqipe. Krahas kësaj, në zonat serbe në Kosovë funksionon sistemi arsimor i ndarë nga ai kosovar dhe punon me planprogram të Republikës së Serbisë.

Në këto institucione arsimore, po ashtu, zhvillohet mësimi gjithëpërfshirës dhe fëmijët me shikim të dobësuar mund të regjistrohen në shkollë fillore ose të mesme. Nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se sa fëmijë të verbër apo me shikim të dobësuar ka në zonat serbe në Kosovë. Disa prej tyre arsimohen në Shkollën për nxënës me shikim të dobësuar në qytetin e Zemunit në Serbi.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi me disa prindër të fëmijëve të verbër ose me shikim të dobësuar, por ata nuk deshën të flasin publikisht rreth problemit të arsimit.

Rade Jorgiq, kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Graçanicë, afër Prishtinës, komunë me shumicë të banorëve serbë, tha se arsimimi në zonat serbe në Kosovë është shumë i dobët për personat me nevoja të veçanta.

Ai konsideron se fëmijët e verbër dhe me shikim të dobësuar duhet të vijojnë mësimin në qytetin e Zemunit, që fillimisht të mësojnë alfabetin e Brajit dhe të marrin arsimim të duhur e cilësor.

“Janë disa fëmijë (me shikim të dobësuar) të cilët vijojnë mësimin (e rregullt) në Graçanicë, por them se për ata kjo është më e vështirë”, tha Jorgiq.

Ai përmendi se arsimimi është shumë i rëndësishëm për personat me nevoja të veçanta, sepse u jep vetëbesim dhe fuqi që të luftojnë përgjatë jetës.

Jorgiq, pensionist, e humbi shikimin në shkollë fillore. Në qytetin e Osjekut (Kroaci) përfundoi shkollën e mesme për Telekomunikim e më pas 40 vjet punoi në qendrën e thirrjeve në Prishtinë.

“Atje jam martuar dhe ishte shumë mirë. Ka edhe zanate të tjera, por ka edhe njerëz që përfunduan fakultetet. Ata janë gjendur mirë në jetë”, shtoi Jorgiq.

Përndryshe hobi i tij është shahu. Rregullisht ndjek turnirët dhe deri më sot dy herë ishte kampion i Kosovës mes personave të verbër dhe me shikim të dobësuar.

Çfarë bënë institucionet?

Qeveria e Kosovës krijoi strategjinë kombëtare për të drejtat e personave me nevoja të veçanta për periudhën nga viti 2013 deri më 2023. Ky dokument ka për qëllim të sigurojë të drejta të barabarta të njeriut për të gjithë, pa diskriminim.

Në këtë strategji janë vendosur qëllimet, të cilat institucionet kosovare duhet të arrijnë në të gjithë fushat e jetës për personat me nevoja të veçanta.

Vitin e shkuar, Qeveria e Kosovës publikoi raportin rreth përparimeve në fushën e të drejtave të njeriut me nevoja të veçanta, në të cilin përmendet që me strategjinë për të drejtat e personave me nevoja të veçanta shteti mori përsipër edhe mundësimin e arsimimit më të lehtësuar, të plotë dhe të barabartë.

Si disa prej rezultateve që u arritën deri tani u përmend pjesëmarrja e fëmijëve me ‘invaliditet funksional’ në shkolla të rregullta.

Po ashtu, thuhet se Ministria përkatëse për Arsim siguroi 100 vende pune për asistentët, të cilët do të punojnë me nxënësit me nevoja të veçanta, derisa vazhdon edhe trajnimi i edukatoreve në institucionet parashkollore në komuna, në mënyrë që të mund të kujdesen në tërësi për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Programi i trajnimit kishte 12 module për identifikim, metodologjinë e punës, vlerësimin e nevojave, llojet e invaliditeteve, planin individual të arsimimit dhe shërbimet e rehabilitimit. Në këtë trajnim ishin përfshirë gjithsej 26 edukatore”, shkruan në raport.

Gjithashtu, është iniciuar edhe fushata për vetëdijesimin e qytetarëve për përfshirjen e fëmijëve me invaliditet në institucionet parashkollore./REL