Pa Isa Mustafën, kryesia e LDK-së bën homazhe te varri i Ibrahim Rugovës

Kryesia e Lidhjes Demokratike kanë bërë homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Në këto homazhe nuk ishte i pranishëm kryetari i partisë, Isa Mustafa.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, para gazetarëve tha se Ibrahim Rugova është njeriu i cili i ka bërë emër Kosovës, qytetarëve dhe është ikonë dhe identitet i shtetit.

“Jemi këtu për të nderuar jetën dhe veprën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jemi këtu për të nderuar njeriun me të cilin lidhen të gjitha ato që sot ne i gëzojmë. Pra ajo rezistencë e jona shumë vjeçare, e prirë nga presidenti Rugova dhe pastaj realizimi i gjithë asaj që ka synuar populli i Kosovës . Sot jemi këtu pranë njeriut i cili i ka bërë emër Kosovës, qytetarëve të saj dhe është ikonë është identitet dhe padyshim, pa presidentin Rugova nuk do të ishte Kosova ajo që është sot”, tha Beqiri.

Sot Kosova sot shënon 12 vjetorin e pavarsisë, ku deri më tani shtetësinë e kanë njohur 116 shtete. Ky përvjetor Kosovën e gjen pa liberalizim të vizave dhe pa një marrëveshje përfundimtare me shtetin e Serbisë.