Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

OVL-UÇK: Nesër nuk ka protestë, thirrje deputetëve të mos miratohet ligji për pagën minimale

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të OVL–UÇK, Faton Klinaku ka njoftuar se nesër (e martë), Organizata e Veteranëve të së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do të protestojë.

“Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”, ka thënë Klinaku.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që nesër të mos e miratojnë ligjin që mundëson rritjen e pagës minimale pasi sipas tij do të bartin pasoja.

Sipas tij me anë të këtij ligji qeveria synon t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale.

“Thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës. Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur qeveria”, ka shkruar ai në rrjetin social në Facebook.

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë vazhdimin e seancave me pikat e mbetura duke përfshirë projektligjin që mundeson rritjen e pagës minimale.

Të hënën e kaluar(6 qershor), Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në lidhje me votimin në parim të  projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Më 6 qershor, para Kuvendit të Kosovës kanë protestuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.

VIDEO – Policia përdor sprej ndaj veteranëve protestues