OVL UÇK mbështet protestën kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova nëser do të vizitoj Kosovën, mirëpo kjo vizitë e saja do të kundërshtohet me një protestë.

Partia Socialdemokrate e Kosovës para disa ditëve ka njoftuar se nesër do të mblidhen nga ora 10:00 tek Hotel “Astoria” në Gjilan për të kundërshtuar këtë vizitë të Trendafilovas.

Kjo protestë është përkrahur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë përkrahje ka njoftuar kryetari i kësaj organizate, Faton Klinaku në Facebook.

Ai ka renditur disa arsye se pse, sipas tij po marrin pjesë në këtë protestë.

“Roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares së një Gjykate (në këtë rast pseudogjykatës speciale), nuk është që të edukoi shoqërinë civile e mediat” – ka qenë arsyeja e parë që e ka dhënë Klinaku.

Ai tutje ka thënë se shoqëria e Kosovës civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë.

Arsyeja tjetër sipas Klinakut është pasi shoqëria e Kosovës civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim dhe se kjo shoqëri, sipas tij, është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit.

Tutje Klinaku ka shtuar se përkundrazi, sipas tij, po përdoren shpifje për ta gjykuar UÇK-në.

“Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar më 21.09.2022 (e mërkurë), ora 10:00, Hotel ‘Astoria’, Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova” – është shprehur ai.

Kryetari i PSD-së, partisë e cila ka organizuar këtë protestë, Dardan Molliqaj në një konferencë për media para pak ditësh e kishte cilësuar Dhomat e Specializuara si “gjykatë politike”.

“Duke e pasur parasysh që proceset në këtë gjykatë janë dukë shkuar në mënyrë shumë negative, ju i keni parë pretendimet e prokurorisë që bënë kërkesa edhe anti-ligjeve, të cilat kanë qenë të aplikueshme” – kishte thënë Molliqaj gjatë konferencës.

Ai ka thënë së e vetmja rrugë që ka mbetur është të kundërshtohet Gjykata Speciale përmes protestës.

“Kërkesat e prokurorisë së kësaj dhomë janë më të larta sesa të Gjykatës së Hagës për krimet në ish Jugosllavi.  Për dy grupet, për Limajn dhe Haradinajn, kërkesa ka qenë nga prokuroria 20 vite dhe janë liruar të dy udhëheqësit, ndërsa tani për një ushtar të rangut të mesëm, kërkesa është 35 vite burg” – tha tutje ai.

Molliqaj kishte ftuar edhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës të bashkohen në protestën e së mërkurës.

PSD konfirmon protestën kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale