OVL UÇK kërkon shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Organizata e Veteraneve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar të mbajë protestën para objektit të Qeverisë në Prishtinë pas akuzave të publikuara nga Prokuroria e Specializuar në Hagë kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Protestat sipas OVL UÇK janë paraparë të mbahen nëpër komuna me vetëm 99 persona.

Në protestën e mbajtur në  Prishtinë, kryetari i OVL UÇK-së , Hysni Gucati ka kërkuar shfuqizimin e Gjykaës Speciale.

“Urgjentisht duhet të ndërmerren masa për t’i rishikuar këto procese që janë shumë të padrejta”, tha Gucati duke aluduar në nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet kundër civilve të pafajshëm në Kosovë. Veprimet që i ka bërë kjo Gjykatë nuk ndikojnë pozitivisht në pajtimin më Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Gucati.

Sipas tij, Gjykata Speciale po i bën privilegje Serbisë.

“Privilegji që po i’a bën Serbisë kjo Gjykatë nxit ngatërresa të reja. Kjo gjykatë po bën gabim të pafalshëm në lidhje me akuzën ndaj krerëve të UÇK-së. Urgjentisht duhet të ndërmerren masa për t’i rishikuar këto procese që janë shumë të padrejta. Luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush, lufta e UÇK-së është e pastër”, u shpreh Gucati.

Nasim Haradinaj në një konferencë për media deklaroi dje se ndryshim për mbajtjen e protestave ka ardhur pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë.

Haradinaj ka deklaruar se është obligative për veteranët, kurse për popullin, vullnetare.

“Ne këshilli organizativ e ka caktu 9 korrik, ora 12, në shesh kemi caktuar një protestë gjithëpopullorE. Për veteranët është obligative, për popullin është vullnetare. Por, OVL ka parasysh rrethanat shëndetësore. Ne ju kemi drejtu IKSHPS që te na sugjerojnë apo të na japin këshilla shëndetësore. Na edhe luftën e kemi me mbrojte popullin”, ka deklaruar dje Haradinaj.

Këto protesta po mbahen pas aktakuzave të ngritura ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

OVL UÇK ndryshon mënyrën e protestës kundër akuzave të Speciales ndaj Thaçit e Veselit