OVL-UÇK i bashkohet protestës kundër deklaratës së Kurtit për Ivanoviqin

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën e organizuar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për Oliver Ivanoviqin.

“E mbështes protestën dhe do të jem pjesëmarrës në të. Kërkoj që të mbështetet edhe nga ju”- ka shkruar Klinaku.

Me moton “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!”, të hënën, më 23 janar 2023 do të organizohet protestë prej orës 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryeministri Kurti, ditë më parë përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës.

Në këtë video, Kurti e konsideroi Ivanoviqin si një politikan serb, dhe një person të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.