Ushëheqësit e OVL UÇK-së arrijnë në qeveri për takimin me kryeministrin Kurti, Foto: KALLXO.com

OVL e UÇK-së i përgjigjen Kurtit për propozimin rreth pensioneve të veteranëve

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se i kanë kthyer përgjigje kryeministrit Kurti lidhur me propozimin që ky i fundit u kishte bërë për pensionet e veteranëve, që të hartohet një ligj i ri.

Në letrën të cilën e ka publikuar Klinaku, thuhet se OVL e UÇK-së nuk është tërhequr nga kërkesa e tyre që pensioni i veteranëve të përfshihet në Projektligjin për pagën minimale.

Sipas tyre, propozimi i Qeverisë për ligj të ri të verifikimit të listës së veteranëve, është ndërhyrje në punën e drejtësisë.

“Propozimi juaj që të fillojmë hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi dhe verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, konsiderojmë se është ndërhyrje në procesin gjyqësor”, thuhet mes tjerash në letren e publikuar në rrjetin social Facebook.

Sipas tyre, për t’i trajtuar në mënyrë “sa më të dinjitetshme” kategoritë e luftës së UÇK-së, ka nevojë që ligjet aktuale në fuqi të plotësohen me akte nënligjore që “nuk janë bërë deri më tani nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse”

Kujtojmë që në muajin qershor ishin organizuar dy protesta nga veteranët e OVL UÇK-së para Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkonin që të përfshihen në Ligjin për Paga.

Më pas, me 17 qershor, kryeministri Albin Kurti i kishte pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve. Takimi, megjithëse nuk kishte prodhuar një ‘pajtim’ mes palëve, ishin dakorduar që kryeministri të iu dërgojë një propozim me shkrim, që të zgjidhet kjo çështje.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti iu ka përcjellur propozimin veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në lidhje me pensionin e veteranit, duke propozuar që bashkarisht të hartojnë një ligj të ri.