Osmani: Zëvendësimi i tarifës me reciprocitet kërkon studim të thellë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, mes tjerash është pyetur edhe për tarifën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Ajo deklaroi se vendimin politik e kanë që tarifa të hiqet dhe reciprociteti duhet të hyjë në fuqi.

“Këto përgjigje i jap në cilësi të përfaqësueses së LDK dhe jo si kryetare e Kuvendit. Sa i përket zëvendësimit të tarifës me reciprocitet, është temë jashtëzakonisht komplekse që kërkon studim edhe më të thellë edhe më gjithëpërfshirës sepse nënkupton bashkëpunim edhe me shumë akterë të tjerë. Çështja e reciprocitetit prek edhe 33 marrëveshjet me Serbinë, prandaj duhet të studiohen. Nuk mund të jap datë se kur mund të ndodhë”, tha ajo.

Ndërkaq, sa i përket emërimeve pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, ajo tha se do t’i shqyrtojnë nga aspekti ligjor.

Në anën tjetër, ajo në këtë konferencë për media është pyetur edhe për publikimin e marrëveshjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Më vjen keq që nuk qenka publikuat ende. Kam menduar që është publikuar. Një pjesë ka dalë në ditën e votimit të Qeverisë”, tha ajo.

“Në marrëveshje përveç ndarjes së përgjegjësive ne jemi pajtuar që ta bëjmë departizimim dhe depolitizimim e agjencive të pavarura”, u shpreh kryeparlamentarja.

Takim me Apostoloven ka mbajtur sot edhe kryeministri i ri, Albin Kurti.

Takimi me Apostolovën, Kurti zotohet për përkushtim drejt BE-së