Vjosa Osmani: Vuçiq po investon në prishjen e partneritetit me VV-në

Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ditë më parë kishte thënë se kjo parti po mundohet që ta marrë pozitën e kryeministrit.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është propagandë e Vuçiqit.

“Jo rastësisht Aleksandar Vuciq ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vuçiqit”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin.

“LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vucicit.  Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tone”, thotë Osmani.

Ajo ka shtuar se Vuçiq dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë “do të përfundojnë duarthatë”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte thënë për mediat serbe se raportimet në Kosovë për helmim votash nuk i kishin shënjestër serbët, por të ndryshohej përbërja në parlament, e kështu të fitonte më shumë partia nga vjen Osmani sesa ajo e Kurtit.