Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani: Vlerësimet e sigurisë janë pothuajse çdo herë identike, Ura e Ibrit duhet të hapet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, tha Presidenca për Kallxo.com më 14.08.2024.

Në lidhje me këtë çështje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vlerësimet e sigurisë nuk janë të jashtëzakonshme, por pothuajse identike si shumicën dërrmuese dhe se SHBA asnjëherë nuk ka kërkuar që mos të hapet Ura e Ibrit.

“Si për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë institucionet e Kosovës dhe aleatët e sigurisë dhe ta hartojmë së bashku planin e zbatimit që i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë, dhe ju siguroj që shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike”- tha Osmani në një konferencë për media më 15.08.2024.

Osmani tha se në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta vlerësohet sesi të përzgjidhet momenti që hapja e urës të jetë sukses i përhershëm dhe jo sukses i momentit.

“ Ajo urë nuk është dashtë me u mbyllë kurrë. Ajo urë është mbyllë për arsye krejtësisht politike. Ura që patjetër duhet të hapet, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet, të mbetet e hapur. E jo që kur hapet e nxit një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të”- shtoi Osmani.

Presidentja tha se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar- Ura duhet të hapet.

Sipas saj, është krejtësisht normale të bëhen vlerësime, jo vetëm për Kosovën, por për çdo vend të botës ku ShBA ose NATO ka rol në mirëmbajtjen e sigurisë, nga shtetet baltike e deri te Islanda, ose shtetet tjera në Paqësor, të gjitha konsultohen dhe koordinohen me SHBA-në. 

Osmani tha se takimet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, asnjëherë nuk është thënë që janë kundër hapjes së urës, përkundrazi sipas saj, ata kanë thënë se janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraparë hapjen e urës së Ibrit. 

E para e vendit tha se nuk është aspak në interes të Kosovës të shohin konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan.

“A është në interes të Kosovës që të shohim konflikt mes Policisë tonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar në këtë tokë që pajtohet me një gjë të tillë. Nuk kemi arsye që të kemi konflikte me aleatët tanë”- shtoi ajo..

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13.08.2024 se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”- tha ambasadori amerikan.

Kallxo.com ka dërguar pyetje në NATO dhe KFOR në lidhje me këto deklarata, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje të reja, përpos që kanë një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin.

“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”- tha KFOR.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai, në një përgjigje për KALLXO.com më 13.08.2024.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje. 

Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.