Osmani viziton familjen e ish-Presidentit Rugova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 21.01.2025 ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

Osmani ka thënë se kujtimi për presidentin historik, Ibrahim Rugova nuk është vetëm histori, por busulla nacionale.

“Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i frymëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës.” – ka shkruar Osmani.

Janë mbushur 19 vjet nga vdekja e ish-Presidentit Rugova.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, më 21.01.2025, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë bërë homazhe te varri i tij, në Velani të Prishtinës.

Pas homazheve, presidentja Osmani ka deklaruar se aleancat që i ka ndërtuar Rugova kanë ndihmuar në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

“[Presidenti Rugova] dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë, në një kohë jashtëzakonisht të rëndë për popullin tonë, kur po rrezikohej edhe shfarosja e qytetarëve tanë, e popullit të Kosovës. Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshtën më së shumti në ato kohë të vështira e të cilat rezultuan me intervenimin e NATO-s, i cili edhe e ndihmoi çlirimin e Kosovës. E, pastaj mbështetja e këtyre shteteve mike e ndihmoi edhe pavarësinë e shtetit tonë.” – u shpreh presidentja Osmani.

Ibrahim Rugova u lind më 02.12.1944, në fshatin Cërcë të Komunës së Istogut.

Ai ishte bashkëthemelues i LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës.

Rugova vdiq më 21.01.2006, pas një sëmundjeje.