Osmani: Viktimave të dhunës seksuale u është pamundësuar e drejta për të dëshmuar për krimin

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës i është kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se grave ndaj të cilave është ushtruar dhunë nga aparati shtetëror serb u është pamundësuar e drejta për të dëshmuar për krimin.

“E, grave të Kosovës, ndaj të cilave është ushtruar dhunë e egër nga aparati shtetëror gjenocidial serb, u është pamundësuar e drejta për të dëshmuar për krimin, sa nga stigamtizimi e sa nga mungesa e drejtësisë efektive. Ne vlerësojmë lart faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë për dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe është trajtuar si krim lufte”,

Osmani tha se me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, u bëri thirrje të mbijeturve të dhunës seksuale gjatë luftës që të ngrenë zërin për t’iu njohur statusi i viktimës.

“Monumenti i pavarsisë Newborn krahas krenarisë çdo vit na shpërfaq nga një faqe të brengës së
përbashkët, këtë vit na shfaqi zërin e heshtur të viktimave të dhunës seksuale, na i rikujtuan plagën,
dhjetëra histori të trishta të përthyer në mesazhe, por edhe gabimin tonë të pafalshëm karshi historisë
sonë, heshjen e zërit për shkak të mosveprimit të drejtësisë, paragjykimeve dhe stigmave”, tha Osmani.

E para e Kuvendoi theksoi se të mos e vendosësh drejtësinë në vend është si ta përdhunosh për së
dyti herë.

“Të mos e përkrahesh lirinë e tyre është si të mbytësh zërin e viktimës dhe ta bësh viktimë gjithë shoqërinë e grave të Kosovës ndaj të cilave është ushtruar dhunë e egër nga aparati gjenocidal
serb. Këtyre grave u është pamundësuar për të folur për krimin sa nga stigmatizimi dhe mungesa e
drejtësise efektive”, u shpreh Osmani.

Tutje Qsmani bëri thirrje të gjitha të prekurave nga dhuna që të ngrenë zërin për të ju njohur statusi i
viktimës dhe të ndihmojnë në ndërtimin e kësaj historie.

“Ne e vlerësojmë lart faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë është trajtuar si krim lufte.
Nuk është rastësisht që 20 vjet pas luftës jehoi një zë i cili u shndërrua në moto të betejës për njohjen e
statusit të këtyre viktimave. Mesazhi thoshte ‘plaga ime le të ketë zë’. Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës këto tregime po mbahen të heshtura, dhuna seksuale është nga më çnjerëzoret, kjo heshtje e bënë dyfish më të rëndë dhimbjen”, shtoi Osmani gjatë seancës.

Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo seancë po mbahet për të ngritur vetëdijen për zërin e heshtur të viktimave.

“Të mos rrëfesh krimin sepse mund ta paragjykohen është njëjtë si të mos e pranosh viktimën me fatin e saj të tmerrshëm. Kjo seancë ju kushtohet zërit të mbytur për të ngritur vetëdijen për zërin heshtur të këtyre viktimave. U bëjmë thirrje viktimave dhe familjarëve ta ngrenë zërin për tu njohur statusi i tyre i viktimës. Dhimbja e tyre është dhimbje e gjithë Kosovës e cila duhet të ndahet me ne për t’i përkrahur viktimat e dhunës. Përmes Vasfjes duam të flasim edhe me veten tonë”, përfundoi Osmani.