Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Ushtria jonë është zhvilluar mbi vizionin e ushtrisë moderne

Presidentja e Kosovës dhe komandantja supreme e FSK-së, Vjosa Osmani në një vizitë në ushtrimin ushtarak ‘Defender 21’, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është sinonim i shtetësisë sonë.

“FSK është sinonim i shtetësisë sonë, mbrojtjes së sovranitet dhe paprekshmërisë së territorit të Kosovës. Forca jonë është burim nga e cila rrjedhë fuqia jonë kohezive për të qëndruar fort përkrahe popujve liridashës, për ta krijuar e ruajtur, paqen dhe stabilitetin e sigurinë në partneritet me SHBA dhe shtetet e tjera perëndimore”, tha Osmani.

Ajo shtoi se si komb edhe 22 vite më parë kemi pasur vetëm një qëllim, të mbrojmë atdheun, por edhe respektimin e lirive të të tjerëve.

“Ushtria jonë është rritur e është zhvilluar mbi këtë vizion për ushtri moderne, të cilën ju po e jetësoni çdo ditë me profesionalizimin tuaj. Jam e lumtur sot që të shoh jo si ushtri moderne por edhe në partnerit të besueshëm me aleatët tanë, synimet e të cilëve përkojnë me qëllime tona strategjike”, shtoi më tej Osmani.

Osmani tha se me ushtrimin ‘Defender 21’, FSK po e vulos fatin e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

“Për shërbimin tuaj do të mbaheni mend, sot e përgjithmonë, ndjehuni krenari për atë çka keni bë për vendin tonë sepse vendi mund të frymojë lirshëm duke jetuar me vlerën e veprës tuaj ashtu sikurse ju jetoni me vlerën e etërve tuaj dhe të etërve të etërve tuaj, andaj ruani me miqësitë me botën e lirë dhe thelloni ato ditë për ditë”, shtoi komandantja supreme e FSK-së.

Ajo falënderoi edhe ShBA-të dhe partnerët e tjerë që mundësuan ushtrimin ‘Defender 21’.

Pamjet e para, ushtarët e FSK-së duke përdorur snajperë