Osmani uron ShBA-në për përvjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 245-vjetorin e Pavarësisë.

Osmani përmes një postimi në Facebook tha se Kosova bashkëfeston me ShBA, pasi, sipas saj, kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh ‘për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë’.

“Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri”, tha Osmani.

Sipas saj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të.

“Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan. Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme””, thuhet në urimin e Osmanit.