Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Osmani: Urdhri për sulmin në Banjskë erdhi nga Vuçiq
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në emisionin “Click” në RTV21 tha se disa prej shteteve aleate të Kosovës qysh në ditën e parë pas sulmit të Banjskës në takimet me krerët e shtetit të Kosovës kanë paralajmëruar “masa të ashpra” në raport me Serbinë në qoftë se konfirmohet se Serbia si shtet ka qenë i involvuar në këtë sulm.
“Tani unë nuk po e përmend kush saktësisht ka zhvilluar hetime, mirëpo ka hetime të përfunduara dhe nga disa shtete aleate të cilat kanë dëshmuar drejtpërsëdrejti edhe involvimin e institucioneve shtetërore serbe, tani prej disa prej tyre dihet… Urdhri ka ardhur nga vetë presidenti Vuçiq, kjo tashmë është e dëshmuar, tani ne duhet siç na është thënë nga aleatët të presim edhe pak sepse secili prej tyre i kanë procedurat e veta të brendshme kur bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzione kështu që jemi në bashkëpunim me ta. Asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë shpejt të dalim me konkluzione të tilla, por mos harroni ne jemi Kosova dhe ne e bëjmë vlerësimin e interesave tona, këto janë shtetet tjera dhe e bëjnë vlerësimin e momentit me të duhur bazuar edhe në interesat e tyre edhe në mënyrën se si ata i vlerësojnë interesat rajonale apo raportet që i kanë edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, edhe diskutimet që i kanë brenda NATO-s ku fatkeqësisht ne akoma nuk jemi“, tha e para e shtetit.
Osmani pranoi se janë të dëshpëruar me mospërgjigjen e deritashme të shteteve aleate për masa ndaj Serbisë.
“Por natyrisht nuk humbim shpresë. Nga diskutimet që unë kam vazhdimisht për këtë temë me aleatët tanë na japin shpresë që një gjë e tillë do të marrë drejtim… por i kanë edhe ata vlerësimet e veta”, tha Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani siguroi popullin e Kosovës se do ta ndalin çdo lloj kërcënimi nga Serbia.
“Grupet kriminale po vazhdojnë trajnimet e tyre dhe përgatitjet e tyre dhe riorganizimet e tyre brenda territorit të Serbisë, nuk thash që ata nuk po përgatiten të sulmojnë, thash që do t’i ndalim, prandaj qytetarët duhet të jenë të qetë, jo pse Serbia nuk e synon të keqen, por sepse ne së bashku me aleatët tanë do t’i ndalim, nuk do të lejojmë që ata ta rrezikojnë Kosovën dhe t’i rrezikojnë qytetarët e saj“, tha Osmani./RTV21