
Foto: Presidenca e Kosovës.
Osmani udhëton për në Kolumbi, do ta bëj edhe inaugurimin e ambasadës së Kosovës në Bogota
Shteti i Kosovës do ta inaugurojë ambasadën në Bogota të Kolumbisë.
Aty do të marr pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka udhëtuar për vizitë pune në Kolumbi.
Në kuadër të vizitës së saj, e para e shtetit do të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin e Republikës së Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe me presidentin e Senatit të Kolumbisë, Efraín Cepeda, njofton Presidenca.
Ndër të tjera, gjatë vizitës së punës në Kolumbi, presidentja Osmani do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale, “ku përpos që do të jetë folëse kryesore në ceremoninë hapëse të konferencës, do të jetë folëse edhe në panelin diskutues ku do të trajtohet çështja e fëmijëve të mbijetuar të dhunës seksuale në konflikt.”
Sipas Presidencës, në agjendën e Osmanit do të jenë edhe një sërë takimesh me delegacione dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë konferencë.
Në gusht të vitit 2008, Kolumbia ka njohur Pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu vendi i dytë i Amerikës Jugore që kishte marr këtë vendim – pas Perusë.
Përveç këtyre dyjave, edhe Surinami dhe Gujana e kanë njohur Kosovën, duke e çuar në katër numrin e njohjeve nga shtetet jug-amerikane.
Kolumbia është ekonomia e tretë më e madhe në Amerikën Jugore, kurse e katërta në Amerikën Latine (pas Brazilit, Argjentinës dhe Meksikës).