Osmani: Tërësia territoriale, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociueshme e të shenjta

Nën intonimin e himnit shtetëror, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar seancën solemne për nder të 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani- Sadriu ka thënë se rruga e Kosovës drejt pavarësisë nuk ka qenë e lehtë.

“Populli i Kosovës ka përjetuar kalvarin nën regjimin gjenocidal të Serbisë, u desh shumë mund, shumë sakrifica për të bërë lirinë, e po as për ta bërë shtetin”, tha Osmani.

Osmani tha se sot i nderojmë të gjithë invalidët, dëshmorët e martirët që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit.

“Kosova sot nuk është ajo e qershorit 99 e as ajo e 17 shkurtit 2018, me gjithë atë liria jonë ende nuk është përmbushur sepse sot i kujtojmë 1600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të të cilëve po e mbanë peng Serbia, por nuk do të ndalemi asnjë qast deri sa familjet e tyre të gjejnë qetësinë. E vërteta mund të vonohet por jo edhe të shmanget përjetësisht”, tha ajo.

Presidentja Osmani përmendi edhe dialogun me Serbinë, i cili sipas saj do të përfundojë me njohje reciproke.

“Procesi i dialogut me Serbinë natyrisht që do të përfundojë me njohje reciproke, siç edhe e përsëriti presidenti Biden. Nuk do të lejojmë që ky proces ti shkaktoj kok qarje shtetit tonë, dhe nuk do të pranojmë asnjë opsion që shkakton defunksionalizimin. Tërësia territoriale, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociueshme e të shenjta”, ka vazhduar ajo.

Kuvendi është duke mbajtur seancën solemne për nder të 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Liderët shtetëror kanë ngritur flamurin në mëngjes si dhe kanë bërë homazhe, ndërsa gjatë ditës pritet parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës.