Osmani takon zv/kryeministrin e Holandës, diskutojnë për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Çeki është takuar me zëvendëskryeministrin e Holandës, Wopke Hoekstra.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se tema qendrore e takimit ishte procesi i liberalizimit të vizave.

“Temë qendrore e diskutimit në këtë takim ishte procesi i liberalizimit të vizave. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova tash e sa kohë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka kërkuar mbështetjen holandeze”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Osmani ka folur për agjendën evropiane të Kosovës dhe për përgatitjen për aplikim për statusin i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Presidentja Osmani ka folur edhe për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat, e njëkohësisht edhe përgatitjen për aplikim për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, njofton Presidenca.

Më tej, bëhet e ditur se Osmani ka kërkuar nga zëvendëskryeministri Hoekstra mbështetjen holandeze për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian, Partneritetin për Paqe dhe në NATO.

Po ashtu, Presidentja dhe zëvendës kryeministri Hoekstra diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe Evropë, si dhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim te vizave.