Osmani takon shefin e ri të Zyrës së BE-së: Kosova ka përmbushur kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se, Osmani ka ritheksuar përkushtimin dhe angazhimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Ajo gjithashtu ka nënvizuar se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së.
“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Tutje, Presidentja theksoi se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së”- thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, në takimin mes presidentes dhe Orav, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të së Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian “me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta”.
“Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së”- thuhet mes tjerash në kumtesë.
Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav ka marrë detyrën më 01.09.2024 për një periudhë fillestare prej dy vitesh. Këtë mandat paraprakisht e ka pasur Tomas Szunyog, i cili ka qenë si ambasador i BE-së në Kosovë nga viti 2020.
Ambasadori i ri ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut nga viti 2012 deri më 2016 dhe në Mal të Zi, nga viti 2016 deri më 2020.
Nga Këshilli Europian kanë thënë se Orav do të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike e cila bashkëpunon me rajonin.