Osmani takon presidenten e Singaporit, interesohet për bashkëpunim mes shteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së punës në Singapor është pritur në takim nga homologia e saj Halimah Yacob.

Gjatë këtij takimi, Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për intensifikimin e marrëdhënieve me këtë shtet të Azisë Juglindore, sidomos duke e ditur potencialit e bashkëpunimit tregtar.

“Në kontekst të thellimit të marrëdhënieve më këtë shtet, Presidentja Osmani ka potencuar se Singapori ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në teknologji si dhe në fushën e mbrojtjes, ndaj ka shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të fokusuar në këto fusha. Ky bashkëpunim sipas Presidentes Osmani duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera, si ajo e arsimit, energjisë, e shumë fusha të tjera”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Osmani ka prezantuar potencialin e Kosovës, si një mundësi për investime nga Singapori.

“Më këtë kontekst përmendi, ndër të tjera popullsinë e re dhe dinamike, tregun e punës me kosto efektive dhe incentiva të shumta për investitorët e huaj”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim mori pjesë edhe ministrja e Shtetit për Zhvillim dhe Politikë të Jashtme, Sim Ann.