Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau, Foto: ZPRK

Osmani takon ministrin e Jashtëm të Polonisë: Presim mbështetje në rrugëtimin euroatlantik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, i cili është edhe kryesuesi aktual i OSBE-së.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se në takim me ministrin Rau, presidentja Osmani diskutoi për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Kosovës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Sipas Osmanit, Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdimisht është palë konstruktive dhe se procesi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Sipas Presidencës, me ministrin Rau u diskutua edhe për përkushtimin e Kosovës për ta mbështetur popullin ukrainas, i cili po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë, për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Poloninë, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Presidentja Osmani tha se llogarisin në mbështetjen e Polonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.

“Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike”, ka theksuar presidentja Osmani në takim me ministrin e Jashtëm polak.

Presidentja Osmani në takim me ministrin Rau ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me të cilën përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim.

Foto: ZPRK
Foto: ZPRK