Osmani takon komandantin e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim komandantin e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Robert P. Burke.

Sipas një njoftimi për media, Admirali Burke shprehu mirënjohje dhe falënderim për gatishmërinë e Kosovës për t`i strehuar qytetarët nga Afganistani.

Ndërkaq, presidentja Osmani ka theksuar se duke e njohur dhimbjen e popullit afgan, Kosova ka hapur dyert dhe zemrat.

“Ky akt nga institucionet e Kosovës është shembull që tregon se cilët janë aleatët e vërtetë të NATO -s në rajon. Synim i joni është që edhe Kosova të bëhet anëtare e kësaj aleance ushtarake në një të ardhme”, ka  potencuar presidentja Osmani.

Sipas saj, populli i Kosovës 22-vjet më parë u ndihmua nga NATO-ja dhe në këtë kontekst përmendi përparimin domethënës të shtetit për stabilitet dhe paqe në rajon.

Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë i qytetarëve afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Ata u transportuan nga Gjermania me një avion të forcave ajrore amerikane. Autoritetet kosovare po ashtu njoftuan se gjatë të hënës pritet të arrijë grupi tjetër i afganëve.

Qytetarët afganë, që kanë punuar me NATO-n, së bashku me familjet e tyre, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.

Afganët që kanë arritur në Kosovë janë strehuar në ish-kampin e kompanisë Bechtel Enka, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj.