Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takon Abazoviqin, i kërkon përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Në margjina të Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Mal të Zi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të Presidencës, në këtë takim, presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq kanë diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të tyre.

Sipas komunikatës, presidentja Osmani ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave për procesin e integrimit evropian.

Më tej, presidentja Osmani ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në veçanti, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi.

“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Abazoviq theksuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit e me këtë rast. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërtuar mbi premisat e barabarësisë dhe gjithpërfshirjes, si dhe faktin se Kosova përkrahë vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me zhvillimet në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë, sipas komunikatës dy liderët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit të veprimeve me Bashkimin Evropian në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Sot gjatë një diskutimi të panelit në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kanë shkëmbyer replika lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Osmani dhe Abazoviq përplasen për “Ballkanin e Hapur”