Osmani takoi komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári, të cilin e uroi për detyrën, duke e vlerësuar kontributin e forcës shumëkombëshe në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në Kosovë.

Duke përmendur rolin e KFOR-it që prej vitit 1999, Osmani ka theksuar se ky mision paqeruajtës ka kontribuuar jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në projekte të ndryshme infrastrukturore, sikurse edhe në fushën e shëndetësisë në përballje me pandeminë.

Sipas një njoftimi për media, Osmani ka përmendur bashkëpunimin në nivel të KFOR-it me FSK-në, duke ritheksuar  synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ndërkaq, gjeneralmajor Kajári ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe konsultimeve të rregullta në kuadër të mandatit që ka KFOR-i në Kosovë.