Osmani takoi drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perendimor, Linda van Gelder si dhe menaxherin e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci.

Sipas komunikatës së Presidencës, Van Gelder theksoi përkushtimin e Bankës Botërore për të punuar ngusht me institucionet e reja dhe për të mbështetur projektet e planifikuara zhvillimore.

“Presidentja Osmani i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për punën e bërë ndër vite, duke theksuar që ka qenë vet dëshmitare e impaktit pozitiv të projekteve të bankës në jetët e qytetarëve. Ajo theksoi që gjatë mandatit të saj, zhvillim i qëndrueshëm do të ketë vëmendje të veçantë, duke spikatur nevojën për bashkëpunim dhe invesitm ne sektorin e shëndetësisë dhe ringritjen pas pandemisë, tranzicionin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në kumtesë.

Duke folur për bashkëpunimin në të ardhmen thuhet se palët u dakorduan për të vendosur vëmendje të veçantë tek edukimi i hershëm, gjersa diskutuan edhe për rëndësinë e angazhimit për fuqizimin e grave dhe aktivizimit të tyre në tregun e punës.