Takimi i presidentes Vjosa Osmani me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takoi Ambasadorin turk, i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike, si dhe thellimin e mëtejmë të raporteve bilaterale me Turqinë.

Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve – duke potencuar se Turqia mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës.

“Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes turke ndaj Kosovës për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare, njohje të mëtejme dhe vazhdim të thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.” – thuhet në njoftimin e Presidencës, më 20.01.2025.

Në fund të njoftimit, Presidenca thotë se Osmani dhe ambasadori Tunç Angılı u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e interesave të përbashkëta mes Kosovës e Turqisë – duke përforcuar lidhjet miqësore dhe bashkëpunimin afatgjatë.

Osmani e kishte takuar Ambasadorin turk edhe më 21.08.2024, kur i kishte shprehur mirënjohjen Turqisë për donacionin me vlerë 31 milionë lira (rreth 1 milion dollar), për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).