
Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian
Osmani takohet me Vuçiqin: Ai nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim të shkurtër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të pranishëm ishin edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Sipas presidentes Osmani, në këtë takim edhe njëherë u dëshmua se presidenti serb Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta , ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”- ka thënë ajo në një intervistë për RTK.
Osmani ka thënë se ajo do të vazhdojë të punojë me partnerët, Gjermaninë, Francën, SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera.
“Ka mundësi që të gjinden zgjedhje përpara. Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani nga Moldavia, ku ka marrë pjesë në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë.
Osmani ka thënë se me Macron dhe Scholz kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë. Serbët në në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.
Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.